Ish-kryeshefi i Drejtorisë së Pestë në Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Goran Grujevski, u arrestua mbrëmë rreth orës 21:00 në aeroportin e Zagrebit gjatë aterimit në kryeqytetin kroat.
Policia kroate e arrestoi Grujevskin në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut dhe menjëherë pas arrestimit e njoftoi Ministrinë e Brendshme të vendit dhe Interpolin.
Por, pas verifikimit të rastit, Interpoli e ka tërhequr fletarrestin ndaj tij, për shkak se Grujevski gëzon azil politik në Greqi.
Ish-shefi i Drejtorisë së Pestë tashmë gjendet në liri në kryeqytetin e Kroacisë.
Ai, bashkë me kolegun e tij Nikolla Boshkovski, u arratis në Greqi në vitin 2017, ku kërkuan azil politik pas akuzave ndaj tyre në rastin Target – Fortesa të ish-Prokurorisë Speciale, lidhur me përgjimin e paligjshëm në Maqedoninë e Veriut.