EMRAT/ Ja kush janë ambasadorët dhe emisarët e rinj të BE-së në Ballkanin Perëndimor

Ajo që ishte kuptuar kohë më parë nga burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë, lidhur me rotacionin e madh të ambasadorëve të Bashkimit Evropian nëpër botë, tashmë dihet edhe publikisht.

Marketing

Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Sanino, ua ka dërguar vendeve anëtare listën me emrat e ambasadorëve dhe të të dërguarve të posaçëm, të cilët i ka emëruar kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borrell.

Radio Evropa e Lirë e ka siguruar këtë listë dhe aty shihet se një ndryshim mjaft i madh është bërë edhe në postet që kanë të bëjnë me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo listë pritet të bëhet publike shpejt edhe nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së. Në kuadër të rotacionit në postet diplomatike të BE-së, lehtësuesi i tashëm i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak është emëruar nga Borrell si ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër.

Në këtë listë nuk ekziston ndonjë emër i pasardhësit të Lajçakut në rolin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së, në bashkëpunim me vendet anëtare, pritet të vendosë më vonë, mundësisht gjatë verës. Mandati do t’i përfundojë dhe shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, që njëherësh është edhe Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Kosovën, Tomas Sonyongut. Në vend të tij, Zyrën e BE-së në Prishtinë do ta udhëheqë ambasadori aktual i Estonisë në BE, Aivo Ora.

Shefi i ardhshëm i Zyrës së BE-së në Kosovë ka përvojë në rajonin e Ballkanit, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe si shef i delegacionit të BE-së në Mal të Zi. Në kuadër të këtij rotacioni, diplomati italian, Luigi Soreca, është emëruar shef i delegacionit të BE-së në Sarajevë, që krahas Kosovës, është, po ashtu, pozitë më e lartë sesa ajo e ambasadorëve në vendet tjera të rajonit, pasi ka statusin e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së. Gjatë karrierës së tij diplomatike, Soreca ka qenë ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Ambasadori i tashëm i BE-së në Sarajevë, Johann Sattler, do të mbetet në rajon, pasi Borrelli e ka emëruar si ambasador të BE-së në Mal të Zi. Ambasador i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut do të jetë diplomati grek Rokas Michalis. Deri tani ai ka qenë ambasador i Bashkimit Evropian në Meksikë.

Nga zyrtarët që kanë pasur pozita të lidhura me Ballkanin Perëndimor është edhe ajo që deri tash ka pasur Angelina Eichhorst. Ajo është drejtore menaxhuese për Evropën në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së. Më herët ajo ka qenë zëvendësdrejtore menaxhuese dhe zyra e saj ka qenë e angazhuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, para se të emërohej Lajçak si i dërguar i posaçëm për dialog.

Angelina Eichhorst është emëruar ambasadore e Bashkimit Evropian në Egjipt. Nga lista e të emëruarve nga ana e Borrellit shihet se shumica e madhe e tyre janë ose diplomatë të vendeve anëtare, ose funksionarë të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Edhe pse politika e jashtme vazhdon të jetë kompetencë nacionale e vendeve anëtare, Bashkimi Evropian ka një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, dhe një shërbim mjaft të madh diplomatik nëpër botë./REL