Taravari: Bujar Osmani vonë i ra pishman Ballkanit të Hapur, me fitoren e VLEN-it do të thellohen lidhjet me Tiranën dhe Prishtinën

Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari në fjalimin e sotëm në tubim në Zhelinë mes tjerash tha se kundërkandidatit të tij, Bujar Osmani, tani i është kujtuar që të propozojë daljen nga Ballkani i Hapur, nismë e Vuçiqit dhe e përkrahur nga Lavrovi.

Marketing

“Sot dëgjova që ai është bërë pishman edhe për Ballkanin e Hapur dhe se do të propozojë daljen e Maqedonisë së Veriut nga kjo nismë e Vuçiçit, e përkrahur nga Lavrovi. Haxhi Pishmanit i themi se vonë i ka dalë gjumi. Keni ngelur të vetmit në një shtrat me Vuçiçin. Me Vuçiçin që organizon sulme terroriste mbi Kosovën dhe që trishtohet për humbjen e BDI-së, sepse po frikohet nga ndryshimi që VLEN”, u shpreh Taravari.

Ai shtoi se me VLEN-in, do të ketë faktorizim të shtetësisë së Kosovës dhe jo projekte që janë kundër interesave të Kosovës.

“Do të kemi koordinim të plotë me dy shtetet shqiptare, Shqipërinë e Kosovën. Do të thellojmë lidhjet me Tiranën dhe Prishtinën, sepse ata janë vëllezërit tanë të një gjaku. Pra, nuk do bëjmë si kundërkandidati im që vizitën e parë si ministër i jashtëm e bëri në Beograd dhe asnjëherë nuk pati vizitë bilaterale në Republikën e Kosovës”, theksoi Taravari.