Gazeta Insajderi nga burimet e saj konfirmon se tre policët që u ndaluan dhe u liruan dje vetëm pas intervistimit janë: Ramadan Selishta, Fitim Bunjaku, Ragip Pireva.
Derisa, katër policët tjerë që u raportua se u liruan gjatë ditës së sotme janë: Sinisha Milliq, Zoran Marinkoviq, Boban Simeunoviq dhe Ramiz Ibrahimi.
Por, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i cili është i ndaluari tjetër po vazhdon të mbahet në njërin nga burgjet e Serbisë.
Këtë e theksoi edhe në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti.
“Informacionet e fundit na njoftojnë se të gjithë policët e ndaluar janë liruar, përveç Jankoviq. Ai po mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti.
Reagime për ndalimin e tyre pati edhe nga krerët tjerë të institucioneve të vendit.
Para se të bëhet e ditur lirimi edhe i katër policëve tjerë, presidentja Vjosa Osmani, kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të reagojë dhe të ndërhyjë për lirimin e policëve të Kosovës.
Osmani e quajti Serbinë si shtet shovinist.
“Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia”, tha ndër të tjera Osmani.
E fajtor për gjithë këtë kryeministri Albin Kurti po e sheh presidentin serb, Aleksandër Vuciq.
Sipas Kurtit, Serbia është hakmarrë kësisoj një ditë pasi Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
“Ata janë ndaluar si rezultat i një konference për media të cilën e pati të shtunën që shkoi presidenti i Serbisë, ku ai tha që në javën që vjen Serbia ku do që ushtron pushtet dhe kontroll efektiv, do të filloj që të hakmerret. Andaj edhe ajo çfarë po ndodh në këtë javë është paralajmëruar të shtunën që shkoi kur presidenti i Serbisë vizitoi njësitet ushtarak ‘Kobra’ në ditëlindjen e tyre, një njësit të cilën ne e patëm akuzuar në mesë të qershorit të vitit të kaluar që i ka rrëmbyer tre policët tanë në veri të Kosovës”.
Një ndalim të tillë dhe marrje në pyetje institucionet serbe e bënë dje edhe ndaj qindra qytetarëve të cilët po udhëtonin drejt vendeve europiane.
13 autobusëve me qindra udhtarë u ndaluan për rreth 20 orë nga policia e Serbisë në pikën kufitare Serbi – Kroaci.
I gjithë ky reagim erdhi një ditë pasi Kosova kaloi me sukses edhe një hap drejt pranimit në Këshillin Evropian.