Osmani kopjon Taravarin, premton rritje të pagave për ta ndaluar rininë të ikë

Gjatë ditës së djeshme, kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari në konferencë për shtyp dhe në tubimin qendror në Strugë, tha se problemi kryesor i qytetarëve të Maqedonisë është ekonomia dhe emigrimi.

Marketing

Taravari theksoi se programi i VLEN-it parasheh 800 euro pagë minimale në mënyrë që të ndalohet emigrimi masiv i qytetarëve në shtetet e Bashkimit Evropian.

“Emigrimi në vendin tonë është mbi çdo normë, shifrat janë alarmuese. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferent krahas kësaj situate. Kështu që, si qeverisje e ardhshme e VLEN, ne do të marrim vendim për rritjen e pagës. Do të angazhohemi parreshtur që paga minimale deri në fundin e mandatit tonë të parë qeverisës të jetë 800 euro”, tha Taravari duke shtuar qytetarët po ballafaqohen me varfëri, rritje të çmimeve, papunësi dhe paga të ulëta.

Një ditë pas deklaratës së Arben Taravarit, Bujar Osmani kopjoi Taravarin duke thënë se BDI do ta risë pagën mesatare deri në 1.000 euro.

“Mendoj që në periudhën kur do të kemi negociata me BE-në, ky konsensus do të jetë shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike, rritje të qëndrueshme ekonomike, me qëllim që ta arrijmë qëllimin për 1000 euro rrogë mesatare brenda një viti, të krijojmë një begati ekonomike, t’i ruajmë njerëzit këtu, dhe t’i kthejmë ata të cilët veçmë kanë ikur”, tha Osmani.

Ndryshe, këto zgjedhje BDI, pas 20 viteve pushtet sfidohet seriozisht nga opozitare shqiptare VLEN në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.