7 ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime kundër shqiptarëve të Kosovës

7 ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime kundër shqiptarëve të Kosovës
Ish-anëtari i Ushtrisë Jugosllave, Toplica Milladinoviç, u dënua me 20 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat përreth Pejës më 1999.

Marketing

Sipas njoftimit të publikuar në ueb-faqen e Gjykatës së Lartë në Beograd më 24 prill, edhe 6 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave u dënuan me krime lufte. Predrag Vukoviç u dënua me 13 vjet burgim, Abullah Sokiç me 12, Sinisha Mishiç me 5. Ndërkaq Lazar Pavlloviç, Sllavisha Kastratoviç dhe Boban Bogiçeviç u dënuan me nga 2 vjet burgim secili.

Ndërkaq, Vellko Koriçanin dhe Millan Ivanoviç u liruan nga akuzat.

Sipas aktakuzës, ish-anëtarët e Detashmentit të 177-të të ushtrisë territoriale të Ushtrisë Jugosllave, (të njohur si “Çakallët”), morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Zahaç, Lubeniç, Qyshk dhe Pavlan gjatë prillit dhe majit të vitit 1999.

Të pandehurit, siç u tha në aktakuzë, morën pjesë në vrasjet dhe në shkatërrimin e pronave të civilëve.

Prokurorët thanë se Toplica Milladinoviç si komandant i detashmentit, kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se ai kishte njohuri për vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme.

Në aktakuzë u tha se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, teksa në shumicën e rasteve viktimat u qëlluan pas shpine. Më pas, shumica e trupave të viktimave u dogjën, në mënyrë që ata të mos mund të identifikoheshin. Vendimi i Gjykatës së Lartë të Beogradit mund të apelohet.

Natasha Kandiç nga organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, pas vendimit se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme.

“Ndjenja ime, pas 14 vjetësh që nga nisja e gjykimit për vrasjen e civilëve në Qyshk, Zahaç, Lubeniç dhe Pavlan, është se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme në procedurat gjyqësore”, tha ajo përmes një deklarate të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Gjykimi për këtë rast nisi më 2010. Vendimi i parë ishte marrë më 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e kishte shfuqizuar atë më 2015./REL