SHBA pritet të njoftojë ndihmën prej 6 miliardë dollarësh për Ukrainën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin pritet të njoftojë të premten se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës edhe 6 miliardë dollarë në formën e ndihmës ushtarake afatgjatë, tha një zyrtar amerikan për Zërin e Amerikës.

Marketing

Ndihma po jepet si pjesë e Nismës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), që do të përqëndrohet në nevojat e ardhshme ushtarake, vuri në dukje zyrtari.

Sekretari Austin të premten mbajti takimin e 21-të të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, që përfshinë më shumë se 50 vende që takohen pothuajse çdo muaj për të bashkërënduar ndihmën për Kievin.

Një tjetër ndihmë me vlerë 1 miliard dollarë u miratua në fillim të kësaj jave.

Kjo ndihmë iu dha Kievit duke u mbështetur në autoritetin presidencial (PDA) në bazë të të cilës mund të merren armë, municione dhe pajisje të tjera nga rezervat ushtarake të Shtetet e Bashkuara për të përmbushur nevojat afatshkurtra të Ukrainës. Kjo ndihmë përfshin municion për sistemet ‘HIMARS’ dhe fishekë 155 mm, krahas mjeteve luftarake për këmbësorinë.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder tha se Uashingtoni do të dërgojë ndihmën “brenda disa ditësh”.

Të dy këto dërgesa janë pjesë e paketës prej 61 miliardë dollarësh ndihmë ushtarake për Ukrainën që u miratua nga Kongresi dhe u nënshkrua nga Presidenti Joe Biden të mërkurën. Hera e fundit që Kongresi miratoi ndihmë ushtarake për Ukrainën ishte në vitin 2022.

Ukraina prej disa muajsh ka shprehur shqetësimin për mungesë armësh në fushën e betejës, veçanërisht ato në lidhje me mbrojtjen ajrore dhe municionet e artilerisë.

“Ajo që unë shoh sot në fushën e betejës është se forcat ukrainase kanë përdorur në mënyrë të kufizuar municionet për një kohë të gjatë, duke zvogëluar aftësitë e tyre në betejë. Për këtë arsye forcat ruse kanë pasur mundësi të përparojnë në terren”, u tha gazetarëve të enjten një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes.

Zyrtari tha se ndihma e fundit do të ndihmojë Ukrainën, por paralajmëroi se përparimi në betejë “nuk do të jetë një proces i shpejtë”.