Qendra për trajnim “Idrizovë”, promovon 508 nëpunës të rinj policor

MPB-së i shtohen edhe 508 nëpunës të rinj policorë, të cilët kualifikohen pas mbarimit të trajnimin intenziv njëvjeçar sipas planit modular teorik dhe praktik.

Marketing

I pari i qeverisë, Talat Xhaferi, pret nga ata menaxhim profesional me sfidat në kohën kur siguria është bërë prioritet global.

“Për nëpunësin policor, çdo qytetar është po aq i rëndësishëm, pavarësisht nga përcaktimet, bindjet personale apo çfarëdo dallimi tjetër. Për policin profesional, nuk ka detyrë më pak ose më shumë të rëndësishme. Të gjithë qytetarët janë të njëjtë para ligjit dhe të gjithë kanë të drejtën e njëjtë për siguri.” – tha Kryeministri i vendit, Talat Xhaferi.

Edhe menaxhmenti i dikasterit ku do të sistemohen këta policë, konsiderojnë se siguria e vendit do të përforcohet nga rojtarët e rinj.

“Më tepër dua t’i përkushtoj vëmendje rrugës që sot e tutje ju pret në suaza të njësive të ndryshme organizative në punën e minisitrisë. Ju porosis që ta mbani mend se, secili prej jush është kreator i fatit të vet dhe në këtë kuptim mos u zhvendosni asnjë milimetër nga maksima se suksesi juaj varet vetëm nga ju.” – u shpreh Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.

“Profesioni policor për çdo ditë ballafaqohet me sfida ndaj të cilave nëpunësit policorë duhet të veprojnë menjëherë sipas rregullativave ligjore, dhe njëkohësisht paraqet rrugëtim jete të bekuar, dinjitet për krenarinë dhe respektin për çdo rezultat të arritur si shërbyes ndaj qytetarëve në mbrojtjen e tyre.” – tha Zv.Ministri plotësues, Mitko Bojmaçaliev.

Ndërkohë më i miri i gjeneratës u zgjodh Andrej Todorovski, i cili gjatë trajnimit ka mbledhur 588 pika nga gjithsej 600.

Kryeministri Xhaferi policit më të mirë në këtë promovim i ndau pllakë, ndërkaq poashtu polici në fjalë fitoi një laptop dhe një orë dore.

Nga 508 policë të rinj, 416 pjesëtarë janë të gjinisë mashkullore dhe 92 të gjinisë femërore.