Dogana korri 35 milionë euro nga importi i makinave të vjetra, rritje prej 46%

Vitin e kaluar përmes Drejtorisë doganore shteti ka mbledhur 35 milionë euro taksa për importin e automjeteve, që është një rritje e madhe fiskale në krahasim me vitin para (2022).

Marketing

Sipas raportit të publikuar nga Drejtoria doganore për vitin 2023, qytetarët dhe kompanitë importuese kanë paguar 2,166 miliardë denarë për tatimin e automjeteve. Rritja e arkëtimit në nivel vjetor është edhe 46.7 për qind më e lartë. Gjatë vitit 2022 ishte rreth 24 milionë euro.

Në mesin e muajit tetor të vitit të kaluar, Qeveria miratoi ndryshime në Dekretin për mënyrën e llogaritjes së taksës për mjetet motorike dhe për shumat e nevojshme për llogaritjen e taksës për mjetet motorike, bazuar në Ligjin për automjete të miratuar në vitin 2019.

Ndryshimet parashikonin taksa më të larta për importin e automjeteve luksoze, si dhe për ato mjete të vjetra që ndotin më shumë ajrin. Autoritetet thanë se rritja e tarifave të importit për një pjesë të automjeteve synon mbrojtjen e mjedisit, përmbushjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Klimës të Parisit për uljen e emetimit neto të gazrave, si dhe respektimin e standardeve më të fundit të BE-së.

“Metoda e re, e cila bazohet në matjen e emetimit të gazrave të CO2 të shkarkimit në një mjedis real, është një procedurë e harmonizuar globalisht për testimin e nivelit të emetimeve të dioksidit të karbonit nga automjetet, e cila është e detyrueshme në BE për të gjitha automjetet e sapoprodhuara nga 2022 dhe mundëson një lidhje më të drejtpërdrejtë të taksës së mjeteve motorike me eksternalitetet negative të shkaktuara nga emetimi i CO₂ nga automjetet”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Taksimi i automjeteve është padyshim rritja më e madhe e të hyrave të Drejtorisë doganore me këto 35 milionë euro. Rritje ka tek akciza me 4.1 për qind, tek doganat me 10.3 për qind, ndërsa në mbledhjen e TVSH-së ka edhe rënie prej 5.4 për qind. Për shkak të rënies së inkasimit të TVSH-së, Drejtoria doganore ka shënuar rënie të arkëtimit të përgjithshëm prej 1,1 përqind në vit. Në vitin 2023 janë inkasuar gjithsej 117,8 miliardë denarë ose 1,35 miliardë denarë më pak./Faktor.mk