Agustin Kaza, 44 vjeç, mbeti i vdekur pas një atentati në Bruksel.
Mediat vendase kanë publikuar momentin e vrasjes së Kazës nga autori i cili mbante një kapele. 44-vjeçari shqiptar u qëllua me armë zjarri pistolete siç duket nga video dhe në momentin e atentatit ishte i shoqëruar me një tjetër person në një kafene shqiptare.
Policia bën me dije se autori ka qëlluar plot 4 herë në drejtim të Kazës, dy prej të shtënave i ka marrë në kokë.
“Prokuroria publike e Brukselit ia ka referuar një gjyqtari hetues akuzën për atentat në tentativë. Në vendngjarje ka dalë gjyqtari hetues i shoqëruar nga zëvendësprokurori i Mbretit në detyrë dhe laboratori i policisë gjyqësore federale në Bruksel. Hetimi, i cili iu besua seksionit të vrasjeve të policisë gjyqësore federale në Bruksel, është në vazhdim, me qëllim përcaktimin e rrethanave të sakta të këtyre fakteve, kontekstin e tyre dhe kapjen e autorit(ve)”, njoftoi prokuroria e Brukselit.
Agustin Kaza është vëllai i Martin Kazës, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në 3 korrik të 1997 në Mirditë.
Martin Kaza është dënuar me 22 vite burg për vrasjen e vëllezërve Dod dhe Augustin Gjini të cilët dyshoheshin se i kishin vrarë vëllain në qendër të Rrëshenit në 1994. Martin Kaza u ekstradua nga Britania e Madhe në vendin tonë, në dhjetor të vitit 2017.