Tre javë para fundit të kampionatit, Struga largon Shpëtim Duron

Shpëtim Duro nuk do të jetë më trajner i Strugës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Marketing

“‼️NJOFTIM…‼️

FC Struga Trim Lum njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me shefin e stafit teknik, Shpëtim Duro. Bashkëpunimi me trajnerin Duro ndërpritet me marrëveshje të dyanshme.

Me këtë rast, FC Struga falënderon Duron për kontributin e dhënë gjatë periudhës përderisa e drejtoi skuadrën tonë në kampionatin e vendit dhe garat europiane, gjithashtu i dëshirojmë shumë suksese në të ardhmen”, thuhet në postim.

Kujtojmë se humbja ndaj tikves ditën e djeshme ka rezultuar fatale për Duron, teksa në kampionat ishte disfata e dytë rresht. Kjo ka bërë që të lëshojnë vendin e parë në klasifikim, i cili tashmë mbahet nga Shkëndija e Tetovës, por me ekipet që kanë kuotë të njëjtë pikësh së bashku me Shkupin.

Largimi i 64-vjeçarit nuk pritej, pasi në krye të Strugës ka siguruar 18 fitore, 4 barazimi dhe 8 humbje në kampionat. Kampionati maqedonas ka për të zhvilluar edhe 3 ndeshje dhe Struga vazhdon të jetë në garë për titullin kampion edhe në këtë sezon.