Netanyahu: Armëpushimi i pranuar nga Hamasi është larg kërkesave të Izraelit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se marrëveshja e pranuar nga Hamasi është “larg prej kërkesave të Izraelit” dhe se shteti i tij do të dërgojë një delegacion për të vazhduar bisedimet.

Marketing

Hamasi të hënën ka njoftuar se ka pranuar marrëveshjen e armëpushimit për Gazën të prezantuar nga ndërmjetësuesit nga Katari dhe Egjipti, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Mbetet e paqartë se çfarë ka pranuar grupi militant, por propozimi mendohet se përfshin edhe lirimin e pengjeve dhe kthimin e të zhvendosurve brenda Gazës.

Njoftimi është bërë vetëm pak orë para se Izraeli të urdhëronte 100 mijë palestinezë që të largoheshin nga pjesa lindore e qytetit Rafah që ka nisur të bombardohet të hënën në mbrëmje.

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka deklaruar se “tani topi është në anën e Izraelit” pasi grupi militant ka paralajmëruar se do të pranojë kushtet e armëpushimit.

Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen zyrtare, Hamasi ka deklaruar se lideri Ismail Haniyeh ka realizuar thirrjen telefonik me kryeministrin e Katarit, Sheikun Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe ministrin egjiptian të inteligjencës, Abbas Kamel dhe i ka informuar për pranimin e armëpushimit, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Qëkur ka nisur lufta më 7 tetor pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në të cilin u vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe u morën peng më shumë se 250 të tjerë, në Gaza janë vrarë nga bombardimet izraelite më shumë se 34 mijë palestinezë, shumica gra e fëmijë.