Mexhiti: Kjo VMRO me Mickoskin dallon nga ajo e vjetra e Gruevskit, pjesëmarrja jonë në qeveri jo në pozita minimaliste…

“Anëtarët e grupit punues nga VLEN që do t’i udhëheqë negociatat me VMRO-DPMNE-në për formimin e shumicës parlamentare tashmë janë nominuar”, tha kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në televizonin Telma.

Marketing

“Të gjitha partitë e koalicionit kanë përfaqësuesit e tyre në grup. Është Visar Ganiu nga unë, është Azir Aliu nga ASH, e poashtu ka dhe nga Besa, Alternativa, madje edhe Bekim Qoku”, tha Mexhiti.

Ai e vlerësoi Mickoskin për ardhjen në selinë e VLEN-it përkundër faktit se fitoi 58 deputetë dhe e konsideron fillim të mbarë dhe shenjë se nuk e ka arrogancën e VMRO-së së vjetër dhe Gruevskit.

Sipas Mexhitit, ky gjest tregon respektin e Mickoskit ndaj VLEN-it.

Ai shtoi se ende nuk është folur për ndarje resorësh mirëpo ka potencuar se nuk hyjnë në qeveri me rol minimalist apo me pozita poshtëruese.

“Po flasim për harmonizim të programeve, për ide dhe të përbashkëta. Natyrisht që nuk mendoj që pejsëmarrja jonë në këtë qeveri të jetë minimaliste apo poshtëruese, sepse ne do të përfaqësojmë 30 për qind të shqiptarëve aq sa jemi në regjistrimin e fundit. Përqëndrimi jonë nuk do të jetë në funksione sa do të jetë në zbatimin e programeve për qytëtarët”, tha Mexhiti.