I dyshuari për dy vrasje në Shkup, Pallço e kaloi natën në burgun e Shutkës nën masa speciale të sigurisë

Pas më shumë se pesë muaj të kaluara në paraburgim ekstradues në Turqi, mbrëmë është kthyer në vend Lupço Palevski Pallço, i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska më 27 nëntor të vitit 2023 dhe pensionistit Pançe Zhezhovski.

Marketing

Palevski mbrëmë me përcjellje policore është dërguar në burgun hetues të Shutkës, pasi paraprakisht ateroi në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit me fluturim të rregullt Stamboll-Shkup.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e konfirmoi procesin e ekstradimit të Palesvskit, duke theksuar se nëpunës policor nga Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar policor të MPB-së në bashkëpunim me policinë turke kanë përfunduar procesin e ekstradimit nga Republika e Turqisë të Lupço Palevskit (59) nga Shkupi për të cilin është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar për hetim të veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje” në bazë të urdhrit nr. 3047/23 të lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike -Shkup.

Personi, siç njoftojnë nga MPB-ja, është transferuar në INP Burgu i Shkupit.

Ai pritet të merret në pyetje pranë gjykatës hetuese dhe të mbahet për 30 ditë në një qeli të posaçme, ku do të jetë në një regjim të veçantë sigurie, pa kontakte me të personat e tjerë.

Vitin e kaluar, më 6 dhjetor, Palevski u arrestua në Balikesir të Turqisë, në përpjekje për t’u arratisur.

Vanja, e mitur dhe Pançe, shtetas i Velesit, të cilët ishin shpallur të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor të vitit 2023, janë gjetur të vdekur në afërsi të Velesit dhe Shkupit më 3 dhjetor.

Sipas informatave nga hetimi, të cilët atëherë në konferencë për media i prezantuan ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe kreu i Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, Gavril Bubevski, Vanja është rrëmbyer në hyrje të objektit ku ajo ka jetuar dhe më pas ajo është vendosur në një thes gjumi në një automjet dhe është dërguar në një lokacion jashtë Shkupit, ku është vrarë.

Vrasja e pensionistit nga Velesi, nga ana tjetër, ka ndodhur pesë ditë më parë, gjegjësisht më 22 nëntor. Sipas informacioneve që janë komunikuar deri më tani, ai është zgjedhur nga të dyshuarit për shkak të automjetit të tij, që më pas është përdorur për rrëmbimin e Vanjës.

Për bashkëpunim në vrasje akuzohen edhe Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Bore Videvski të cilët janë në paraburgim në Shkup. Në paraburgim gjenden edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski i cili dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e 14-vjeçares.

Me masa kujdesi për këtë rast është edhe Stefan Dimovski, shoferi i të dyshuarit të parë për vrasjen e dyfishtë të Vanjës dhe Pançes i cili dyshohet se ka ndihmuar në arratisjen.

Ministria e Drejtësisë ka shprehur mirënjohje deri te autoritetet turke për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për ekstradimin e Lupço Palevskit-Pallço i cili sonte u transferua nga Turqia në vend dhe është dërguar në burgun e Shutkës.

“Ministria e Drejtësisë dhe ministri Krenar Lloga, shprehin mirënjohje për autoritetet turke, veçanërisht për ministrin e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, Jilmaz Tunç për reagimin e shpejtë të tyre dhe marrjen e të gjitha masave për ekstradimin e Lupço Palevskit. E gjithë procedura u realizua në një periudhë relativisht të shkurtër prej më pak se pesë muaj. Kjo është një shenjë e mirë për shoqërinë dhe një porosi që drejtësia do t’ju arrijë kudo që të jeni!”, qëndron në postimin e Ministrisë së Drejtësisë në Fejsbuk.