17-vjeçari shqiptar rrëmbehet dhe dhunohet nga të afërmit e të dashurës për shkak të origjinës së tij

Një 17-vjeçar shqiptar ka mbetur i lënduar pasi është rrëmbyer dhe dhunuar nga të afërmit e të dashurës së tij.

Ngjarja ka ndodhur në Spartë. Sipas dëshmisë së babait të të miturit, djali i tij ka pasur një flirt me një shoqe klase, por prindërit e saj nuk e kanë miratuar marrëdhënien që dy fëmijët kishin krijuar për shkak të origjinës së tij shqiptare.

Mediat vendase raportojnë se 17-vjeçari ka marrë një telefonatë nga vëllai i vajzës dhe ka shkuar për ta takuar. Aty ai është sulmuar ashpër nga dy persona, të cilët më pas e kanë futur në bagazhin e një makine.

Marketing

Sipas asaj që tha babai I djalit, në një moment të rrugës nga Areopolis ata ndaluan, e zbritën nga bagazhi, e rrahën sërish dhe më pas e futën në makinë dhe e çuan në shtëpinë e vëllait të vajzës.

Aty filluan torturat dhe dhuna si nga vëllai i vajzës ashtu edhe nga prindërit e saj. Nga goditjet 17-vjeçarit filloi t’i dilte gjak nga veshi, ndërsa, sipas avokatit, ka humbur dëgjimin në veshin e majtë dhe ende nuk dihet nëse do të shërohet.

Tortura e 17-vjeçarit zgjati për të paktën tre orë, pas kësaj rrëmbyesit e lanë në një pikë ku lajmëruan nënën e tij për ta gjetur. Viktima është dërguar në spital, ku është shtruar prej disa ditësh, ndërsa ndodhet në gjendje të keqe psikologjike.

Sipas njoftimit, babai i vajzës është arrestuar së bashku me djalin e tij dhe një person tjetër për rrëmbimin dhe rrahjen e 17-vjeçarit, ndërsa është në kërkim edhe nëna e vajzës, e cila edhe ajo akuzohet për rrahjen që ka ushtruar tek djali.