Lëvizja e Irlandës, Spanjës e Norvegjisë për ta njohur Palestinën: Shtete të tjera do të na bashkohen

Irlanda, Spanja dhe Norvegjia do të njohin shtetin palestinez. Këto tri shtete pritet t’i shpallin bashkë vendimet e tyre, mes paralajmërimeve nga Izraeli se njohja do të “ushqejë ekstremizmin dhe paqëndrueshmërinë”, raporton The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Marketing

Tre krerët e qeverisë irlandeze – kryeministri Simon Harris, zëvendëskryeministri Micheál Martin dhe ministri Eamon Ryan – do të mbajnë një konferencë për shtyp.The Guardian ka mësuar se kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez ka konfirmuar se Spanja do ta njohë shtetin palestinez nga 28 maji. Ai ka qenë një nga liderët europianë më të hapur kur bëhet fjalë për kritikat ndaj ofensivës së Izraelit në Gaza. Gjithashtu ka thënë vazhdimisht se zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja përgjigje për krizën në Lindjen e Mesme.

Kryeministri irlandez Simon Harris tha gjithashtu se ai pret që vendet e tjera t’i bashkohen Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë në njohjen e shtetit palestinez në javët e ardhshme.

“Secili prej nesh tani do të ndërmarrë çfarëdo hapash kombëtarë të nevojshëm për t’i dhënë efekt atij vendimi”, tha ai. “Kam besim se vende të tjera do të bashkohen me ne në marrjen e këtij hapi të rëndësishëm në javët e ardhshme”.

Izraeli, ndërkaq njoftoi “tërheqjen e menjëhershme” të ambasadorëve të tij në Irlandë dhe Norvegji.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, shkroi se se “Izraeli nuk do të qëndrojë i heshtur përballë atyre që minojnë sovranitetin e tij dhe rrezikojnë sigurinë e tij”.

“Izraeli nuk do të heshtë – do të ketë pasoja të tjera të rënda. Nëse Spanja ndjek synimin e saj për të njohur një shtet palestinez, një hap i ngjashëm do të ndërmerret kundër saj”, tha ai.