Vendos supergoli i Granit Xhakës, Leverkusen fiton edhe Kupën e Gjermanisë

Bayern Leverkusen hedh pas krahëve dështimin në Europa League dhe fiton një tjetër trofe, Kupën e Gjermanisë. Pas titullit kampion të parë në histori, skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso ia doli të triumfojë edhe në Kupën e Gjermanisë, ku mposhti Kaiserslauternin me rezultatin minimal 1-0.

Marketing

Finalja u vendos nga një gol spektakolar i mesfushorit shqiptar Granit Xhaka, i cili lëshoi një të majtë perfekte nga distanca në minutën e 16’, teksa rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund dhe “aspirinat” ngritën lart edhe Kupën e Gjermanisë.

Vlen të theksohet se në fundin e pjesës së parë Kossounou u ndëshkua me karton të kuq dhe la Leverkusenin me 10 futbollistë deri në fund, megjithatë skuadra e Alonsos menaxhoi mirë ndeshjen, për të mos vënë në diskutim trofeun.

Kjo është hera e dytë që Bayer Leverkusen triumfon në Kupën e Gjermanisë, trofe të cilin e kishte fituar për herë të parë në sezonin 1992-1993, teksa këtë herë vulën në sukses e vuri pikërisht një shqiptar si Granit Xhaka.

Mbyllet kështu në mënyrë mjaft të mirë sezoni për Leverkusenin, që pas titullit të parë kampion në histori, fiton edhe Kupën e Gjermanisë, teksa pishmani i vetëm i këtij sezoni perfekt është e vetmja humbje, ajo në finalen e Europa Leagues ndaj Atalantës.