Irlanda njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës

Zëvendëskryeministri irlandez dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes, Micheal Martin njoftoi se vendi i tij ka njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke theksuar se “Njohja e Palestinës nuk është fundi i një procesi, por fillimi. Ne jemi thellësisht të përkushtuar në kërkimin e paqes dhe mbështetjes së ndërtimit të shtetit palestinez”, transmeton Anadolu.

Pas mbledhjes së kabinetit, Micheal Martin bëri një deklaratë me shkrim lidhur me vendimin e vendit të tij për njohjen zyrtarisht të shtetit të Palestinës.

Duke theksuar se vendimi i qeverisë irlandeze lejon vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me shtetin e Palestinës, Martin tha se “Në varësi të kërkesës zyrtare të autoriteteve palestineze, qeveria irlandeze do të ngrejë statusin e misionit palestinez në Irlandë në një ambasadë dhe do të lejojë emërimin e një ambasadori nga shteti palestinez në Irlandë”.

Ky vendim lejon gjithashtu edhe që përfaqësimi aktual i Irlandës në Ramallah të shndërrohet në një ambasadë njoftoi Martin duke shtuar se “Njohja e Palestinës nuk është fundi i një procesi, por fillimi. Ne jemi thellësisht të përkushtuar për kërkimin e paqes dhe mbështetjen e ndërtimit të shtetit palestinez”.

Martin nënvizoi se vendi i tij e ka konfirmuar këtë angazhim përmes diplomacisë intensive prej dekadave dhe një programi bashkëpunimi për zhvillim që vazhdon prej një kohe të gjatë.

Duke theksuar se është jetike që administrata palestineze të marrë mbështetjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar në përpjekjet e saj për reforma dhe ofrimin e shërbimeve, Martin shprehu se do të shtojnë përpjekjet e bëra për këtë qëllim.

Marketing

Martin tha se ka pasur takime të rëndësishme me kryeministrin e Palestinës, Mohammed Mustafa lidhur me procesin e ardhshëm dhe se ka pasur kontakte edhe me partnerët evropianë dhe arabë për vizionin arab të paqes si një mënyrë kuptimplotë për arritjen e paqes.

“Irlanda do të vazhdojë të punojë ngushtë me Autoritetin Palestinez, BE-në dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të krijuar një rrugë politike që mund të ndalojë këtë konflikt të tmerrshëm dhe katastrofë humanitare, të sigurojë lirimin e të gjithë pengjeve dhe të realizojë vizionin e shtetit sovran, të pavarur palestinez që ndodhet në paqe dhe siguri me shtetin e Izraelit” u shpreh Martin.

Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njoftuan se do të njihnin Palestinën me kufijtë e saj të vitit 1967 më 28 maj, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).