Kush është Afrim Gashi-kryeparlamentari i ri i Maqedonisë së Veriut

Afrim Gashi u zgjodh sot në postin e kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut.

Marketing

76 deputetë votuan ‘pro’, 6 kundër nga E Majta, ndërsa Fronti Evropian braktisi seancën e Kuvendit, përcjell INA.

Por, kush është Afrim Gashi i cili nga viti 2014 u përfshi në skenën politike. Në faqen e partisë Alternativa figuron edhe biografia e tij:

Afrim Gashi është i lindur më 9 nëntor të vitit 1977 në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, duke bërë betejë për hapjen e paraleles së mjekësisë edhe në Shkup.

Gjatë shkollës së mesme është marrë edhe me muzikë, ndërsa bashkë me grupin e tij kanë marrë pjesë edhe nëpër festivale të ndryshme.

Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës e mbaroi në vitin 2007, ndërsa studimet pasuniversitare, në Institutin e Studimeve Juridike, Sociologjike dhe Politike në Shkup – në drejtimin e shkencave politike, i përfundoi më 2021.

Një kohë ka punuar në SHB “Logos-A” – Shkup, ndërsa në opinionin është i njohur edhe si publicist, duke qenë aktiv me shkrime publicistike në media të ndryshme shtypit dhe ato elektronike në gjuhën shqipe dhe maqedonase

Në vitin 2011 e ka themeluar revistën mbarëkombëtare “Shenja” dhe deri në vitin 2014 ka qenë kryeredaktor i saj.

Nga viti 2014 është aktiv edhe në politikë, duke e themeluar Lëvizjen Besa. Ai është nismëtar, projektues dhe ideator i saj, ndërsa një kohë e ka ushtruar edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të saj.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitin 2016 është zgjedhur deputet, duke kandiduar në njësinë zgjedhore nr. 2.

Më 9 mars 2019, pas ndarjes së Lëvizjes Besa, Gashi themeloi partinë “Alternativa” dhe u zgjodh kryetar i saj.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 ai sërish u zgjodh deputet.

Ai është i martuar dhe prind i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. (INA)