Kaselakis: Nëse Marrëveshja e Prespës konsiderohet e dëmshme, Micotakis le të bëjë marrëveshje të dobishme me VMRO-në

Nëse Qeveria dhe Kryeministri konsiderojnë se Marrëveshja e Prespës është e dëmshme, le të shkojnë te VMRO të dakordohen për një marrëveshje të dobishme, theksoi lideri i SYRIZA-s Stefanos Kaselakis në intervistën për televizionin shtetëror grek “ERT”.

Marketing

Kryetari i partisë opozitare greke tha se qeveria aktuale dhe kryeministri Kirjakos Micotakis në vitin 2019 “e instrumentalizuan çështjen, e ndanë popullin dhe i nxorën në rrugë”.

“Dhe që atëherë, jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për të ratifikuar aspektet pozitive të kësaj marrëveshjeje, por përkundrazi vjen e na thotë: “është një marrëveshje e dëmshme, por unë e respektoj”. Nëse është një marrëveshje e dëmshme, le të shkojë te VMRO-ja, e cila është parti fqinje në Partinë Popullore Evropiane, le të shkojë atje për të rënë dakord për një marrëveshje të dobishme”, tha Kaselakis.

Shtoi se nëse vërtet Micotakis nuk pajtohet me Marrëveshjen, atëherë ” me siguri do të gjejë terren më të favorshëm te qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut”.

“Le të shkojë atje dhe të bëjë një marrëveshje të dobishme. Ndryshe le ta pranojë se e ka instrumentalizuar dhe se po gënjen sërish popullin grek”, shtoi lideri i SYRIZA-s për “ERT”.