Fakulteti Pedagogjik i UT-së e realizoi projektin ‘Të rinjtë mendojnë – shkrim-leximi mediatik’

Në kuadër të projektit ‘Të rinjtë mendojnë – shkrim-leximi mediatik’ i cili u implementua për një periudhë kohore njëvjeçare nga Fakulteti Pedagogjik në bashkëpunim me Qendrën për komunikim IREX dhe me mbështetje nga USAID, më 30 maj 2024 në hapësirat e Fakultetit Pedagogjik u realizua edhe aktiviteti përfundimtar përmbledhës së bashku me studentët dhe stafin.
Ky projekt kishte për qëllim t’u ofrojë njohuri dhe shkathtësi të reja studentëve të Fakultetit Pedagogjik në shkrim-leximin mediatik, gjegjësisht të mësojnë çfarë gjuhe të përdorin gjatë shkrimeve publike, si të identifikojnë lajmet e rrejshme nga ato reale, etj. Aktivitetin përmbyllës e shpalli të hapur dekani i Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Lulzim Mehmedi i cili shprehu kënaqësinë e tij për përkushtimin dhe angazhimin si të studentëve ashtu edhe të stafit dhe se ky projekt ka qenë i dobishëm duke marrë parasysh kërkesat e tregut të punës dhe kohës në të cilën jetojmë. Aktiviteti u moderua nga prodekania për shkencë Doc. Dr. Teuta Ramadani – Rasimi dhe i njëjti u realizua në dy pjesë, në pjesën e parë u realizua një kuiz me studentët të cilët ishin të ndarë në 3 grupe, dhe grupi që më shpejt do të përgjigjeshin në pyetjet që kishin të bëjnë me shkrim-leximin medatik ishin
fituese.
Aktivitetin e dytë e realizoi Mr. Sc Adrijana Velija e cila u ndau studentëve nga dy lajme, një të rrejshëm dhe një real, ndërsa studentët kishin për detyrë të analizojnë dhe të gjejnë argumente për ta elaboruar dhe argumentuar pse mendojnë se është lajm i vërtetë apo i rrejshëm.
Aktiviteti u ndoq me entuziazëm nga studentët dhe stafi akademik që ishin prezentë, të cilët kishin mundësi të marrin informacione në lidhje me aktivitetet projektuese.
Të theksojmë se në kuadër të aktiviteteve njëvjeçare në Fakultetin Pedagogjik, në këtë projekt “Të rinjtë mendojnë” janë reviduar sylabuset e programeve të disa lëndëve nga ana e shtatë ligjëruesve të cilët më pas kanë realizuar aktivitete me studentët, është realizuar vizitë në TV Klan Maqedoni me pjesëmarrje të studentëve, si dhe është përgatitur Doracaku me punime që kanë të bëjnë me edukimin mediak i cili pritet të botohet së shpejti.

Marketing