VLEN: Historinë e shkruajnë fitimtarët, jo të mundurit!

Ahmeti u mund më 8 maj dhe tani po vjen një kapitull i ri në historinë politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo histori e re do të shkruhet nga VLEN, si fitues në kampin e pastër politik shqiptar. Koha e regjimit të 22 viteve të BDI-së, dy herë me LSDM-në dhe një herë me VMRO-DPMNE-në, përfundimisht ka mbaruar. Partitë që menaxhojnë komunat shqiptare si Tetova, Gostivari, Çairi, më së paku mund të jenë të dobëta ose të papërgatitura. Na vjen keq që Ahmeti ende lufton të pranojë realitetin se do të jetë opozitë. Mirë do të ishte që ai t’u shpjegonte votuesve të tij nëse është e vërtetë që i ka ofruar Mickoskit të zgjedhë vetëm 4 ministri që do t’i jepte të gjithë Frontit Evropian pa kryeparlamentar, për të hyrë në qeverinë e tij në vend të VLEN-it? Të shohim kush janë ata që paturpësisht gjunjëzohen për të hyrë në Qeveri me ata që në fushatë i akuzuan se punojnë për Putinin dhe Rusinë? Sinqerisht vlerësojmë që Ali Ahmeti duhet të ndalojë së shkatërruari atë pak që ka mbetur nga miti i personazhit të tij dhe veprës nga viti 2001, pas aferave me “Soravian” dhe bizneset e kazinove. Është e papranueshme që një njeri që 25 vjet më parë luftoi për të drejtat e shqiptarëve, tani të shkaktojë urrejtje te shqiptarët vetëm për t’i dhënë amnisti zyrterëve të tij të korruptuar. Është e turpshme, është poshtëruese! Nuk ka asgjë tragjike të jesh në opozitë. Le të reformohen, le të përshtaten me kohët moderne të shekullit 21-të dhe le të presin një shans në zgjedhjet e ardhshme. Asnjë karrierë personale nuk është më e rëndësishme se e ardhmja e sigurt e shqiptarëve në BE!

Marketing