10 qershori përmbledh dy ngjarje me rëndësi jetike për kombin tonë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878-tën dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës nga trupat pushtuese serbe në vitin 1999. Kështu e nis postimin e tij kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa përkujton nga Prizreni këto dy ngjarje të rëndësishme për shqiptarët. “Më shumë se një shekull i ndan këto dy ngjarje, por kjo distancë kohore nuk ua prish përbashkinë, atë të trimërisë dhe ndërgjegjes së zgjuar kombëtare të bashkimit rreth kauzës së drejtë e të pastër të lirisë së kombit tonë. Në frymën atdhetare të atij kuvendi historik në Prizren që asokohe vulosi fatin e ekzistencës së indit kombëtar në të gjitha trojet tona, kanë zanafillën e themelimit Lëvizja Popullore e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, shkruan Ahmeti. Lidhja, vijon më tej ai, vazhdon të jetë gjallë me horizontin e Europës para nesh drejt të cilit medoemos duhet të hapërojmë bashkë! “Europa i njeh mirë vlerat tona dhe nuk ka asnjë dyshim se kombi ynë do të fitojë edhe këtë kauzë të mohuar padrejtësisht tashmë një kohë të gjatë!”.