Në ditët e fundit të Qeverisë aktuale, Lloga propozon ligj për Këshillin Gjyqësor

Në ditët e fundit të ushtrimit të detyrës së ministrit të Drejtësisë dhe pa mbështetjen e nevojshme në Kuvend, Krenar Lloga propozon ndryshime të një prej ligjeve kryesore të sistemit gjyqësor, atë për Këshillin Gjyqësor. Sipas tij, me këto ndryshime, do të forcohet pavarësia e gjyqësorit, përgjegjësia dhe profesionalizmi.

Marketing

“Sipas Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësorin, është paraparë revidimi i dispozitave të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut që i referohen përgjegjësisë individuale disiplinore të anëtarëve të Këshillit me fokus të veçantë në definimin e arsyeve për të cilat mund të iniciohet procedura, organi/trupat që do të veprojnë dhe të drejtën në ankesë”, shkruan në FB Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.

Megjithatë, ndryshimet e këtilla janë thuajse të pamundshme, në rrethana kur partia që përfaqëson ai është në opozitë. Veç kësaj, ndryshimet në këshillin gjyqësor propozohen gati një vit e gjysmë pas emërimit të Llogës në krye të dikasterit të drejtësisë.

Lloga u bë aktual pasi u ankua të organizatat ndërkombëtare për paralajmërimin e VMRO-së për shpërndarjen e këshillit, akt të cilin ai tentoi por nuk pati sukses.

Paralelisht shpërndarjes së këshillit, Hristijan Mickoski , ka paralajmëruar ndryshime ligjore për mënyrën e funksionimit të Këshillit Gjyqësor.

Ndërsa vazhdon diskutimi për reformat në Këshillin Gjyqësor, anëtarët e këtij trupi që zgjedh dhe shkarkon gjyqtarë, paraprakisht e ndryshoi rregulloren e punës me të cilën parashikohej llogaridhënie nga Këshilli dhe anëtarët për vendimet e miratuara në lidhje me zgjedhjen e gjyqtarëve.

Pos kësaj, Këshilli dje e miratoi edhe Strategjinë për komunikim 2024-2028 me planin aksional. Me të njëjtën parashikohet ngritje e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave. /Alsat.mk