Fakulteti i Merkos për Shkenca shëndetësore nuk mund të regjistrojë studentë

Fakulteti i Shkencave Shëndetësore pranë Universitetit Ndërkombëtar të Merkos nuk do të mund të regjistrojë studentë apo të fillojë punën derisa të plotësohen kërkesat ligjore për akreditimin e programeve të studimit, megjithëse qeveria në largim u nxitua t’i jepte leje.

Marketing

“Programi i parë i dorëzuar i studimit për kujdes shëndetësor (infermier/teknik medicinal) nga Fakulteti i Kujdesit Shëndetësor i Universitetit Ndërkombëtar në Strugë, në seancën e Bordit për Akreditimin e Arsimit të Lartë më 6.6.2024 është REFUZUAR, respektivisht është sjellë vendim me të cilin nuk është akredituar programi i studimit për infermier/teknik medicinal, sepse nuk i plotëson kushtet ligjore”, thonë nga Bordi për Akreditimin e Arsimit të Lartë.

Ministri i Arsimit Shaqiri, i cili e ka nënshkruar vendimin për plotësimin e kushteve për fillimin e punës në institucionin e arsimit të lartë, thotë se këtë e ka bërë pasi e ka marrë raportin e komisionit në Ministrinë e Arsimit. Ky komision përfundoi të gjitha procedurat në një kohë të shkurtër. Ai u formua më 7 qershor, vetëm katër ditë pasi Universiteti iu drejtua ministrisë me kërkesë se fakulteti i plotëson kushtet për fillimin e punës. Më 10 qershor është inspektuar në Strugë dhe më 11 qershor ka marrë vendim pozitiv.

“Sikurse për disa fakultete të tjera, edhe për këtë – Fakultetin e Shkencave Shëndetësore, ku do të ketë programe studimore trevjeçare për infermiere, e jo studime për mjekë, pas raportit të dorëzuar nga komisioni në Ministrinë e Arsimit, kam nënshkruar Vendim për plotësimin e kushteve për fillimin e punës së institucionit të arsimit të lartë. Asgjë të paligjshme dhe asgjë arbitrare”, deklaroi Jeton Shaqiri-Ministër i Arsimit.

Vesna Janevska, e cila me shumë gjasa do të jetë ministrja e re e Arsimit, për Alsat paralajmëron revidim të gjithë procesit të hapjes së universiteteve private, që sipas saj duhet të ndalet. Ajo nuk e përjashton mundësinë që disa prej tyre mund dhe do të duhet ta ndërpresin punën. Revidim të punës së gjithë Universitetit kërkon edhe Arben Taravari, i cili përmendet si kandidati më serioz për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Do të duhet t’i reduktojmë disa prej tyre, respektivisht disa prej tyre do të duhet ta ndërpresin punën”, tha Vesna Janevska – VMRO DPMN.

Nga Ministria e Arsimit thonë se për shkak të nevojës për më shumë punëtorë shëndetësorë në vend, Qeveria në periudhën e kaluar ka mbështetur disa iniciativa për ngritjen e njësive të reja në disa institucione të arsimit të lartë që do të zbatojnë programe studimore në fushën përkatëse. /Alsat.mk