“500 denar për një dokument, kaq kushton “turpi” i njerëzve që marrin ryshfet”

500 denarë kushton turpi i personave të cilët marrin ryshfet nga qytetarët, për të nxjerrë dokumente të gjendjes civile. Kështu deklaroi mandatari për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski. Derisa shpalosi emrin e Stefan Andonovit për ministër të ardhshëm të Shoqërisë Informatike dhe Transformimit Digjital, kreu i VMRO-së tha se ministri i ardhshëm ka plane dhe projekte ambicioze për digjitalizimin e institucioneve, me të cilat, do të luftohet krimi dhe korrupsioni, por edhe do të rritet transparenca.

Marketing

“Të mos na ndodh sikur deri më tani për disa qindra denarë, të nxirret për shembull certifikatë lindje nga libri amë. Për fat të keq, qytetarët tanë dëshmojnë për lehtësues të tillë, të cilët lajmërohen në emër të njerëzve që punojnë atje dhe për hir të vërtetës ata lehtësues janë shumë të suksesshëm. Madje, njerëzit e mi të afërt kanë testuar dhe unë u habita se sa shpejtë i marrin ato dokumente, edhe pse u është thënë se duhet të presin me muaj. Flas për shumë, maksimum 500 denarë. Ja kaq kushton turpi i atyre njerëzve, dhe për fat të keq, ai është edhe turpi i tërë Maqedonisë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Qeveria në ardhje, premton se do t’i digjitalizojë të gjitha shërbimet e institucioneve, të cilat do të jenë të qasshme me vetëm një klikim në internet, qoftë nëpërmjet kompjuterit apo telefonit të mençur. Në vitin e parë, planifikohet që të digjitalizohen regjistrat e gjendjes civile, ndërkaq prioritet do të kenë 12 shërbimet që kanë të bëjnë me lëshimin e certifikatave, dokumentet për fillimin e biznesit dhe marrjen e vërtetimeve nga institucione të ndryshme.

Gjithashtu, paralajmërohet edhe rikthimi i shërbimit, për regjistrimin e foshnjave të porsalindura në mënyrë elektronike. Nga ana tjetër, pos kësaj, paralajmërohet që të gjitha institucionet do të jenë të lidhura dhe do të komunikojnë mes vete nëpërmjet sistemeve elektronike, ndërkaq qytetarët do të kenë identitet digjital, i cili do të shfrytëzohet për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme.
Në ndërkohë, do të themelohet edhe Agjencia për Digjitalizim, të cilin e premtoi përbërja e kaluar qeveritare, por arriti deri në fazën e dorëzimit të ligjit në Kuvend. E njëjta do t’i mbledhë në një vend IT kuadrin të cilët do të jenë përgjegjës për përshpejtimin e transformimit digjital, trajnimin e tyre, por edhe mbrojtjen e institucioneve nga sulmet kibernetike.

Sipas raportit të fundi të Revizionit, procesi i digjitalizimit në vend është i ngadaltë, ndërkaq portali i cili jep shërbime elektronike nuk promovohet mjaftueshëm dhe përdoret shumë pak nga qytetarët. Prej vitit 2020 e këndej në këtë portal janë investuar mbi 13 milionë euro, por deri tani ka të regjistruar rreth 110.000 qytetarë dhe janë realizuar më pak se 65.000 shërbime elektronike. /Alsat.mk