Ndërron jetë një ushtar profesionist 25-vjeçar, iu përkeqësua gjendja shëndetësore në poligonin “Krivolak”

Një ushtar profesionist 25-vjeçar ka ndërruar jetë pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore në poligonin “Krivolak”. Incidenti ndodhi dje pasdite rreth orës 18:30 gjatë një kursi selektiv për batalionin e forcave speciale. Ushtari, i cili ishte në përfundim të një marshimi të gjatë, humbi ndjenjat dhe u dërgua menjëherë në Qendrën Shëndetësore të Negotinës me një automjet spitalor ushtarak dhe një mjek ushtarak. Pas ndihmës fillestare, ai u transferua në Klinikën për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv (KARIL) në Shkup. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, vdekja e tij u konstatua pas një kohe të shkurtër.

Marketing

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së, ushtari ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe në përgatitje të shkëlqyer fizike para fillimit të kursit, i cili zgjat 24 ditë, dhe nuk kishte shenja të mëparshme të ndonjë problemi shëndetësor gjatë aktivitetit.

Një prokuror publik do të udhëheqë hetimin e mëtejshëm për të përcaktuar shkaqet e vdekjes pas kryerjes së autopsisë.