Shtetet e Bashkuara pritet të njoftojnë të martën një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën prej 150 milionë dollarësh. Lajmi u konfirmua për Zërin e Amerikës nga dy zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti.
Ndihma e re Kievit jepet si pjesë e kompetencave që gëzon presidenti për të ofruar ndihmë urgjente ushtarake një vendi tjetër në rast krizash.
Një nga zyrtarët tha se ndihma e re do të përfshinte municione për sistemet e raketave ‘HIMARS’ si dhe municione të tjera të rëndësishme. I njëjti zyrtar tha se paketa nuk përfshinte bomba thërrmuese.
I pyetur nëse pjesë e paketës do ishin edhe raketat me rreze të gjatë veprimi të njohura si ‘ATACMS’, zyrtari amerikan tha se “për arsye sigurie, nuk do të hynte në detaje të mëtejshme”.
Raketat taktike ‘ATACMS’ mund të godasin deri në 300 kilometra distancë, rreth dyfishi i distancës së raketave që ka Ukraina.
I pyetur nga Zëri i Amerikës më 12 qershor nëse Shtetet e Bashkuara i kishin dhënë Ukrainës të tjera raketa taktike ‘ATACMS’ që nga mesi i muajit mars, Shefi i Shefave të Shtabit të Bashkuar, gjenerali Charles Q. Brown tha se “Uashingtoni po vazhdon t’i ofrojë ato përmes autoritetit që gëzon presidenti për t’i dhënë ndihmë ushtarake një vendi tjetër në rast krizash”.
Rusia ka akuzuar Ukrainën për përdorimin e disa prej raketave taktike të këtij lloji të ofruara nga SHBA-ja gjatë sulmeve të kryera këtë javë brenda rajonit të Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, si dhje ndaj rajonit rus të Belgorodit, që shtrihet në kufi me Ukrainën.
Të hënën Rusia thirri ambasadorin amerikan në Moskë për të protestuar mbi përdorimin e këtyre raketave.