Bashkimi Evropian do të hapë zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë me mbajtjen e dy konferencave ndërqeveritare me ministrat evropianë në Luksemburg. Presidenti Volodymyr Zelenskyy e ka cilësuar vendimin një ëndërr të realizuar për qytetarët e shtetit që ka më shumë se dy vjet që është në luftë me Rusinë. Anëtarësimi i këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian megjithatë pritet të jetë një proces që do të zgjasë me vite. Vendet kandidate duhet t’i përafrojnë ligjet dhe standardet e tyre në përputhje me ato të BE-së në 35 fusha, nga peshkimi te taksat dhe siguria.
Zëvendëskryeministrja për integrimin evropian, Olga Stefanishyna do të udhëheqë delegacionin e Ukrainës në konferencën që shënon hapjen zyrtare të bisedimeve me vendet e bllokut 27-vendesh.
Pas përfundimit të konferencës me Ukrainën, BE do të mbajë konferencën ndërqeveritare me Moldavinë, e cila aplikoi për t’u bashkuar me BE-në pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Moldavisë iu dha statusi i kandidatit katër muaj më vonë.
“Kjo është një ditë historike. Ky është vetëm hapi i parë drejt një Evrope të zgjeruar dhe të bashkuar”, tha ministrja suedeze për Çështjet Evropiane Jessika Roswall.
Kremlini tha javën e kaluar se anëtarësimi i mundshëm i Moldavisë në Bashkimin Evropian ishte një çështje e brendshme e ish-republikës sovjetike, por zëdhënësi Dmitry Peskov tha se kishte shumë moldavë që gjithashtu dëshironin të shihnin lidhje të ngushta me Rusinë.
Konferencat ndërqeveritare të së martës janë hapi zyrtar i nisjes së bisedimeve, por negociatat nuk kanë gjasa të fillojnë edhe për disa muaj.
Vendet kandidate duhet t’i përafrojnë ligjet dhe standardet e tyre në përputhje me ato të BE-së në 35 fusha, që njihen si kapitujt e bisedimeve të anëtarësimit, duke filluar nga lëvizja e lirë e mallrave, taksat, energjia dhe mjedisi, deri te të drejtat dhe siguria.
“Ne po hapim negociatat. Ky është fillimi i një rruge që do të kërkojë përpjekje dhe reforma. Ne kemi parë se si Ukraina dhe Moldavia kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme në rrethana shumë të vështira në muajt e fundit”, tha Fernando
Marcos Sekretar i Shtetit spanjoll për Çështjet Evropiane.
Ukraina dhe Moldavia janë në kufi me anëtarët e BE-së, Poloninë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Hungarinë.
Vendimet për hapjen apo mbylljen e negociatave për secilin nga 35 kapitujt merren me marrëveshje unanime nga të 27 vendet anëtare. Kjo ofron mundësinë për vendet anëtare të BE-së për të këmbëngulur për të bërë më shumë punë ose për të vonuar procedurat.
Hungaria, e cila merr presidencën e rradhës të BE-së nga Belgjika në muajin korrik, shpesh ka bërë përpjekje për të frenuar mbështetjen e BE-së dhe NATO-s për Ukrainën.
“Negociatat e anëtarësimit nuk kanë filluar ende. Jemi ende në fillim të procesit. Është shumë e vështirë të thuhet se në çfarë faze është Ukraina. Nga sa shoh tani, ata janë shumë larg përmbushjes së kritereve të anëtarësimit”, tha ministri hungarez për BE-në, Janosh Boka.
Ukraina, nëse do të anëtarësohej, do ta tejkalonte Francën për t’u bërë anëtari më i madh i bllokut.
Si prodhues kryesor i drithërave, anëtarësimi i Ukrainës do të kishte një ndikim të madh në politikat bujqësore të bllokut evropian.
Së bashku me Moldavinë, Ukraina i bashkohet një liste të gjatë shtetesh që shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, së bashku me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë.
“Të hënën kam takuar disa përfaqësues nga Ballkani Perëndimor. Nuk do t’i lëmë pas. Ata gjithashtu kanë bërë përpjekje të forta. Unë mendoj se sinjali i sotëm është shumë i rëndësishëm, është fillimi i një gjëje shumë pozitive”, tha Sekretari i Shtetit spanjoll për Çështjet Evropiane, Fernando Marcos.
Ukraina shpreson të anëtarësohet në vitin 2030, por paraprakisht duhet të përfundojë dhjetëra reforma institucionale dhe ligjore. Kjo përpjekje duhet të udhëhiqet nga hapat për të luftuar korrupsionin dhe përfshin reforma të thella në administratën publike dhe gjyqësorin