Serbia eliminohet, shkon në shtëpi

Përfaqësuesja e Serbisë është eliminuar nga Kampionati Evropian i futbollit.
Serbia eliminohet, shkon në shtëpi

Marketing

Serbia të martën mbrëma barazoi pa gola me Danimarkën dhe kështu mbeti e fundit në Grupin C me dy pikë. Danimarka është kualifikuar në një të tetën e finales.

Në fakt danezët kanë dominuar plotësisht në ndeshjen ndaj Serbisë. Kishin raste të mira në pjesën e parë e po ashtu në të dytën. Por nuk kanë realizuar gol dhe kështu ndeshja përfundoi 0:0.

Lojtarët e Serbisë kanë rrezikuar fare pak, ndonëse u duhej fitorja për të avancuar.

Eliminimit të Serbisë me shumë gjasë u janë gëzuar edhe autoritetet gjermane. Në të tri ndeshjet ku luajti kjo përfaqësuese ka pasur telashe të mëdha të shkaktuara nga huliganët serbë.

Të martën në Munih kishte përleshje të huliganëve serbë me policinë gjermane. Gjatë ndeshjes janë hedhur shumë gjësende në fushën e lojës.

Ka pasur edhe fyerje ndaj Kosovës e shqiptarëve para e gjatë ndeshjes.