2 korriku si datë e mundshme për një takim të ri në mes Kurtit e Vuçiqit, krejt çka ndodhi dje në Bruksel

Ka dështuar takimi trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dje në Bruksel. Kjo pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vendosur disa kushte për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Marketing

Sipas Shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka shprehur gatishmëri për të mbajtur takim trepalësh.

Borrell gjithashtu ka njoftuar se Kurti i ka vendosur tri kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e normalizimit.

Kushtet e Kurtit për t’u takuar me presidentin e Serbisë sipas Borrellit janë ‘1. Marrëveshja bazike të formalizohet me nënshkrim nga shefat përkatës të qeverive. 2 Tërheqja e letrës së rezervimit të deportuar nga ish-kryeministrja e Serbisë më datë 13 dhjetor. 3. Dorëzimin i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore kosovare’.

Borell ka thënë se pozicionet e dy palëve mbesin të largëta për zbatimin e marrëveshjes.

Ai ka paralajmëruar se dy kryenegociatorët do të ftohen javën e ardhshme në Bruksel nga emisari Miroslav Lajçak.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në deklaratën e tij për media pas takimit ka bërë të ditur se takimi mes dy kryenegociatorëve do të mbahet me shumë gjasë më 2 korrik.

“Do të provohet në fillim të korrikut, me shumë gjasë me dy korrik, ndërmjet dy kryenegociatorëve që do të diskutojnë mbi sekuencimin, por zbatimi i marrëveshjes e ka të domosdoshme respektimin e saj”, tha Kurti.

Kurti pas takimit në Bruksel se Qeveria ka shprehur qëndrimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, që ishte dakorduar në shkurtin e 2023-s.

Kurti para gazetarëve gjithashtu foli edhe për kushtet që i paraqiti për tu takuar me Vuçiqin.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar… Ka ndodhur shumëçka prej atëherë kur ka ndodhur Banjska por edhe letra e tërheqjes nga marrëveshja bazike”, ka thënë Kurti.

Mes tjerash, Kurti kërkoi dorëzimin e Milan Radoiçiqit.

“E kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazë. Ajo është nën sulm nga mosnënshkrimi, nga letra e Bërnabiq dhe nga liria e Radoiçiqit, i cili përndryshe në Serbi vazhdon trajnimet për sulme të reja”, tha Kurti.

Kurse Vuçiq njoftoi përmes llogarisë së tij në Instagram se gjatë takimit me Borrellin dhe Lajçakun ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e dialogut dhe “zgjidhjen paqësore të problemit”.

Ai po ashtu tha se ka përmendur “të gjitha veprimet e njëanshme” të Kurtit.

“E ritheksova përkushtimin dhe gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi që synon mbrojtjen e popullit serb dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe shtova se Prishtina nuk është në gjendje të përmbushë atë që ka nënshkruar 11 vjet më parë, përkatësisht formimin e Asociacionit”, shkroi ai në Instagram.

Marketing