ASH krahu i Selës zgjodhi sekretarin gjeneral dhe sekretarin organizativ, ja emrat

Deputetja Ilire Dauti është zgjedhur sekretare e përgjithshme dhe Tiron Jajaga sekretar organizativ në Kuvendin e katërt qendror të Aleancës për Shqiptarët të prirë nga Ziadin Sela, të mbajtur sot në Shkup.

Marketing

Kryetari i kësaj partie Ziadin Sela para fillimit të Kuvendit tha se në rendin e ditës do të jetë zgjedhja e organeve të partisë dhe do të debatohet për situatën politike në vend.

“Do të debatojmë për situatën politike të krijuar pas cenimit të rëndë të legjitimitetit, të vullnetit të qytetarëve të shprehur në ditën e votimit. Do të ketë edhe vendime për të cilat do të njoftoheni pas përfundimit të Kuvendit qendror. Një pikë e rendit të ditës do të jetë edhe zgjedhja e organeve të partisë. Kryesia qendrore e partisë do të zgjidhet nga kryesia e ngushtë, si dhe organet e partisë”, tha Sela.

Aleanca për Shqiptarët u nda para zgjedhjeve. Një pjesë e anëtarësisë së udhëhequr nga Sela ka marrë pjesë në zgjedhje me koalicionin e udhëhequr nga BDI, ndërsa pjesa tjetër e udhëhequr nga ministri aktual i Shëndetësisë Arben Taravari ka qenë pjesë e koalicionit VLEN dhe është bërë pjesë e shumicës qeverisëse.(INA)