Reformat në gjyqësor,Mexhiti: Janë të patjetërsueshme

Reformat në sferën e gjyqësisë dhe kthimi i shtetit të së drejtës do të jenë prioritetet kryesore të kësaj Qeverie. Kështu vlerëson zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, sipas të cilit ekspertët, opinioni dhe faktorët ndërkombëtarë kanë konstatuar që viteve të fundit ka pasur epidemi të korrupsionit dhe fatkeqësisht me përjashtime edhe gjyqësia ka qenë e përfshirë. Sipas tij, vetëm 3 për qind prej qytetarëve i besojnë sistemit gjyqësor dhe kjo gjendje duhet të ndryshohet. Mexhiti shton se në bashkëpunim me partnerët qeveritarë do të shqyrtohen sërish edhe ndryshimet në Kodin Penal.

Marketing

“Bashkë me partnerët tanë në Qeveri dhe partnerët strategjik do të gjejmë formën më të mirë për reforma në gjyqësi dhe për ta kthyer shtetin ligjor, sepse ajo është shtylla më e rëndësishme e çdo shteti normal, atje ku pretendojmë të jemi pjesë e Unionit Evropian. Ndryshimi i Kodit Penal ishte në funksion të disa funksionarëve në të kaluarën që ikën nga shteti, i ikën gjyqësisë, thjesht ishin një ndihmë dhe një porosi e keqe për korrupsionin, ishte një përkrahje në mënyrë indirekte për korrupsionin dhe mendoj se do ta shqyrtojmë seriozisht, për të rikthyer shtetin ligjor dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme konform asaj që secili që ka gabuar para ligjit të përgjigjet para organeve të gjyqësisë.”, – deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.