Gashi nga Uashingtoni: Mbetemi të përkushtuar për stabilitet rajonal

Në Samitin Parlamentar të NATO-s që po zhvillohet sot për të shënuar 75 vjetorin e ekzistencës së kësaj Aleance, ka marrë pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Marketing

“Jemi të vetëdijshëm se jemi vend anëtar i NATO-s në rajonin e brishtë ku nuk janë të gjitha vende anëtare të NATO-s ose kanë shkallë të ndryshme të partneritetit me Aleancën, si dhe shumë ndikime të jashtme malinje, por ne edhe më tutje mbetemi të përkushtuar për të promovuar atmosferë dhe politikë të stabilitetit rajonal. Këtë e realizojmë duke vazhduar kontributin konkret në operacionin e KFOR-it të NATO-s në Kosovë, ndërsa në dritën e sfidave aktuale të sigurisë, jemi aktivë në misionin e NATO-s në Irak dhe mbështetjen e parezervë të Ukrainës”, deklaroi Gashi.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut raportoi që në këtë Samit theksi u vu në luftën në Ukrainë, nevojën për një aleancë më të madhe në ofrimin e ndihmës së nevojshme për Ukrainën në kapacitetet ushtarake, praktikat e mira, ekspertët teknikë, pajisjet mjekësore, rindërtimin e sektorit energjetik.

Gashi e theksoi që Maqedonia e Veriut ja ka arritur qëllimit të synuar prej +2 % të BPV për investime në pajisjet ushtarake.

Gary Connolly u emërua presidenti i përkohshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në samit merr pjesë edhe një delegacion shtetëror i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Në delegacion janë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski dhe Ministri i Punëve të Brendshme PançeToshkovski.

Ndërkohë në margjinat e samitit, siç tha kryeministri, janë planifikuar takime të shumta dypalëshe.

Për momentin nuk ka një konfirmim zyrtar nga qeveria nëse kryeministri do të zhvillojë takim me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis, i cili do të ishte i pari pas reagimeve të ashpra të Athinës për përdorimin e emrit të shtetit nga ana e kreut të shtetit në vend. Nga partia e Mitskoskit njoftuan se për momentin nuk ka informacione për takim të mundshëm bilateral me Mitsotakis, por theksuan se tubimet ndërkombëtare janë vende ku zhvillohet diplomacia moderne.

Zëdhënësi i qeverisë greke, ndërkaq, dje tha se nuk është planifikuar takim i kryeministrave Hristijan Mitskoski dhe Kyriakos Mitsotakis.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore. E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.