Gashi nga Uashingtoni: Në Ballkan ka ndikime të jashtme malinje, mbetemi të përkushtuar për rajon stabil (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi në fjalimin e tij në Samitin parlamentar të NATO-së që është mbajtur në Uashington, ka vlerësuar se vendi gjendet në rajonin e brishtë ku ka ndikime malinje, duke premtuar se vendi mbetet i përkushtuar në promovimin e politikave të stabilitetit rajonal.

Marketing

“Jemi të vetëdijshëm se jemi vend anëtar i NATO-s në rajonin e brishtë ku nuk janë të gjitha vende anëtare të NATO-s ose kanë shkallë të ndryshme të partneritetit me Aleancën, si dhe shumë ndikime të jashtme malinje, por ne edhe më tutje mbetemi të përkushtuar për të promovuar atmosferë dhe politikë të stabilitetit rajonal. Këtë e realizojmë duke vazhduar kontributin konkret në operacionin e KFOR-it të NATO-s në Kosovë, ndërsa në dritën e sfidave aktuale të sigurisë, jemi aktivë në misionin e NATO-s në Irak dhe mbështetjen e parezervë të Ukrainës.
Këto sfida imponojnë edhe ngritjen e nivelit të partneritetit unik dhe thelbësor me Bashkimin Evropian për të forcuar komplementaritetin e tij strategjik me NATO-n. Të gjitha vendet anëtare dhe parlamentet e tyre duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë Dialogut Strukturor NATO-BE që përfshin rezistencën, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe përmirësimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes.
Dhe sigurisht, dua të përmend dhe të theksoj rëndësinë e vokalitetit tonë, zëshmërisë së parlamenteve dhe parlamentarëve, si instrument i pazëvendësueshëm demokratik për kalibrimin e të gjitha nevojave dhe prioriteteve civile – pa parlamente, qeveritë janë të pafuqishme në realizimin e qëllimeve të përcaktuara strategjike. Në këtë kontekst dua të theksoj rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s i lidhje midis parlamenteve dhe njerëzve të Aleancës dhe NATO-s”, tha mes tjerash Gashi.

Marketing