Gjenocidi serb në Serbrenicë/ Kosova shpall 11 korrikun ditën e përkujtimit

Kosova ka shpallur 11 korrikun Ditën e Përkujtimit për gjenocidin serb në Srebrenicë.

Marketing

Në mbledhjen e Qeverisë që nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të këtij gjenocidi, u tha se ky është vendimi i duhur nga Kosova.

“Është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës e të dëshirës sonë për drejtësi e paqe. Që të mos harrohet e të mos përsëritet gjenocidi as në Srebrenicë, as në Kosovë, as në rajonin tonë e askund në botë”, tha Albin Kurti.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi nga komuniteti boshnjak u shpreh se kjo ditë duhet të shërbejë për ruajtjen e të vërtetës.

“Le të jetë kjo ditë e përkujtimit për dhimbjen e përhershme tonën të përbashkët, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë me përkushtim për ruajtjen e të vërtetës, paqes dhe drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Emilja Rexhepi, zëvendëskryeministre e Kosovës.

E ministri për Komunitete dhe Kthim, nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiç, duke cituar Rezolutën e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, tha se këto veprime kriminale nuk duhet t’i atribuohen një populli.

“Mendoj që është e rëndësishme që krimi dhe gjenocidi të dimë se ka emrin dhe mbiemrin e vet dhe nuk mund ta gjeneralizojmë ndaj një populli dhe një shteti, por janë emra të individualizuar që nuk kanë menduar për popullin”, tha Nenad Rashiç, ministër për Komunitete dhe Kthim, Kosovë.

Forcat serbe në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përmes një rezolute përcaktoi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit.