Rektori i Universitetit të Tetovës u takua me filantropin e njohur Lazim Destani

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli është takuar sot me filantropin e njohur z. Lazim Destani. Vizita e sotme është zhvilluar në kuadrin e takimeve që Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli i realizon në 30-vjetorin e Universitetit me personalitete të njohura nga lëmi i arsimit, shkencës, kulturës, artit dhe sipërmarrësisë, sidomos me kontribues që e kanë ndihmuar këtë institucion që në fillim të veprimtarisë arsimore-shkencore.
Drejtuesit e UT-së ndër vite e kanë çmuar kontributin e z. Lazim Destani si një arsimdashës i njohur, humanist dhe veprimtar i njohur. Në këtë takim Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se ky vit përpos që shënon 30-vjetorin e themelimit (17 dhjetor 1994 – 17 dhjetor 2024), dëshmon edhe për konsolidimin e plotë të Universitetit të Tetovës në të gjitha segmentet institucionale. Këtu u veçuan investimet në kampusin universitar, digjitalizimi i shërbimeve, botimet e revistave ndërkombëtare si dhe bashkëpunimi ndëruniversitar me universitete prestigjioze nga rajoni dhe bota.
Rektori i UT-së dhe Kryetari i Bordit Këshillëdhënës i kompanisë Ecolog vlerësuan se, UT-ja si universiteti i parë në gjuhën shqipe, për tri dekada me radhë ka luajtur rol thelbësor në ndryshimet pozitive, arsimimin dhe emancipimin e të rinjve në vendin tonë.
Në përmbyllje të këtij takimi Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, ia dhuroi z. Lazim Destani logon e 30-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës.

Marketing