“Biseduam me infermieren, ajo thotë se nuk ka pasur lëndim të qëllimshëm dhe as ofendim nga ana e saj ndaj të afërmve të fëmijës. Ajo do të japë edhe deklaratë me shkrim lidhur me rastin”, thotë Memedi për MPB-në.
Siç tregon ai, sipas infermieres, lëndimi në dorën e djathtë të foshnjës ka qenë i paqëllimtë dhe ka ndodhur gjatë marrjes së gjakut për analiza.
Ai bën të ditur se komisioni do të mblidhet të hënën dhe do t’i shqyrtojë të gjitha aspektet dhe se do të merret vendim në përputhje me normat ligjore dhe etike.
Memedi së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, kanë vizituar mbrëmë familjen e foshnjës tre muajshe.
Sipas deklaratave të të afërmve të foshnjës, të cilat janë paraqitur në opinion, pas një konflikti verbal, për faktin se nëna nuk ka ditur të flasë mirë maqedonisht, infermierja me dashje e ka lënduar fëmijën gjatë intervenimit të marrjes së gjakut.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari ka shkruar në rrjetet sociale se nëse vërtetohen pretendimet e të afërmve të foshnjës, infermierja do të sanksionohet.