23/11/2024
Ballina Lajme Maqedoni Transportuesit ankohen për radhë të gjata në kufi, Nikollovski pranon se ka...

Transportuesit ankohen për radhë të gjata në kufi, Nikollovski pranon se ka korrupsion

Drejtori i sapoemëruar në dogana pranon që ka korrupsion në mes të doganierëve, dhe se pritjet në vendkalimin kufitar të Tabanocës që ai vizitoi sot, ndonjëherë shkojnë 5-6 orë. Kamionistët shtyhen me ryshfete, vetëm e vetëm që të kalojnë mallin, por ky fenomen duhet të çrrënjoset, tha sot Boban Nikollovski.

“Për fat të keq në çdo institucion sado profesionalisht të sillen zyrtarët, unë po flas këtu për doganierët, në çdo shërbim ka persona që janë të përfshirë në krime financiare. Por, angazhimi ynë, më besoni dhe për pak kohë do të bindeni, do të jetë lufta e vërtetë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe tregtisë së paligjshme. Jo vetëm sa i përket doganierëve, por të gjithë ata që janë të përfshirë në gjithë këtë proces të punës”, tha Boban Nikollovski, Drejtor i Doganave.

Ndonëse Maqedonia ka firmosur një protokoll me fqinjin verior që në pikat e përbashkëta doganore matja e mauneve bëhet vetëm një herë, për të reduktuar radhët e gjata dhe orët e pritjes në kolona, prapëseprapë nuk ky protokoll nuk zbatohet si duhet. Sipas informacionit zyrtar nga muaji shkurt e deri dje rreth 550 kamionë e kanë shfrytëzuar këtë privilegj vetëm 1 herë. Shoqata e transportuesve “Makam-Trans” iu bëjnë thirrje autoriteteve kufitare t[i përmbahen këtij protokolli.

“Kemi dy kontrolle nga policia në vend të një. Kërkoj që oficerët në prapavijë të shkëmbejnë informacione dhe që kur automjetet të hyjnë në vendin tonë, policia jonë maqedonase t’i kontrollojë, e kur të largohen, vetëm policia serbe, dhe ne të kursejmë të paktën 10 minuta këtu. Përndryshe 5 orët këtu në krahasim me atë që presim për të hyrë në Kroaci, për të hyrë në Hungari, janë asgjë. Sepse aty pret 30 orë, 40 orë, dy tre ditë, gjë që është e tmerrshme dhe këto janë masa jo standarde që zbatojnë. Nga ai aspekt, si institucion shtetëror, Drejtoria e doganave dhe të tjerët duhet të na mbështesin realisht, të na japin mundësi të ndihemi të rëndësishëm në vetë vendin, që të vazhdojmë të shkojmë dhe të punojmë”, tha Biljana Muratovska, Shoqata e Transportuesve “Makam-Trans”.

Harmonizimi i orarit të punës të shërbimeve të inspektimit në pikat kufitare, automatizimi i terminaleve të kalimit kufitar dhe lidhja e tij me sistemin e ri të vëzhgimit me video, përfshi njohjen e targave, është një nga mundësitë që Drejtoria e Doganave do të nxit në muajt në vijim. Sipas Nikollovskit, në këtë kuadër do të ndihmonte edhe digjitalizimi dhe lidhja ndërinstitucionale e shërbimeve kufitare. /Alsat.mk