Izet Mexhiti: Çarshia e Vjetër e Shkupit, vazhdon të jetë zemra pulsuese e kryeqytetit

Në rrezet e diellit të mëngjesit, në aromën e kafesë së freskët që ndjehet në rrugicat e Çarshisë, të shtruara me kalldrëm, e që kanë një hijeshi të paimitueshme, nisem ditën bashkë me Besarin, Bekimin e Visarin.

Marketing

Çdoherë ndjej një kënaqësi të veçantë e të papërsëritshme kur kaloj përgjatë këtij labirinti të bukur të tregtarëve dhe zejtarëve, afër dyqaneve të tyre të vogla, të zbukuruara me mjeshtëri artizanale e që ofrojnë produkte unike. Në fakt, ky vend është më shumë se një treg ku blihen e shiten mallra, është muze i gjallë, që i ruan me kujdes vlerat dhe traditat shekullore. Çdo hap që hedh në këto rrugica, është rikthim në përjetimet e fëmijërisë e të rinisë, kujtimet dhe emocionet, që lidhin të kaluarën. Por, edhe vend, nga i cili do ta ndërtojmë të ardhmen.

Çarshia e Vjetër e Shkupit, vazhdon të jetë zemra pulsuese e kryeqytetit, një qendër jetike ekonomike, kulturore dhe turistike që kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, andaj edhe jemi të vendosur për të rritur investimet në këtë zonë. Investime që do sjellin stabilitet dhe përfitime të mëdha, edhe për qytetin edhe për Çarshinë dhe njerëzit e saj, në veçanti.

Çarshia e Vjetër e Shkupit është një thesar i çmuar që mbart me vete shpirtin e qytetit dhe vlerat e tij të paprekshme. E neve na takon që ta forcojmë, investojmë që ta mbajmë të gjallë e të tillë siç e meriton, si thesar pra. Ia kemi borxh. I detyrohemi! Sepse, ky vend na ka dhënë shumë dje, e, sot duhet t’i japim ne!