Sipas burimeve, të hënën më 05.08.2024 Kryeministri i Kosovës do të takojë homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Kryeministrin Hristjan Mickoski.
Siç mësohet, takimi do të mbahet në ora 10:00 ku do të marrin pjesë edhe disa anëtarë tjerë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VLEN.
Sipas informatave, pjesë e këtij takimi do të jetë edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Kjo vizitë ndodh në kohën kur Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të incidentit që ndodhi në aeroportin e Shkupit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kur policia e aeroportit i ka kërkuar kësaj të fundit që të dorëzojë çantën e dorës dhe telefonin celular për kontroll, pas çka ka pasuar një zënkë mes sigurimit të Presidentes dhe atyre të aeroportit. (INA)