Shpresë për të sëmurët me kancer/ Testohet nga shkencëtarët vaksina BNT116 e BioNTech

Shkencëtarët kanë nisur provën e vaksinës së parë mRNA në botë kundër kancerit të mushkërive në shtatë vende, në një përpjekje novatore që mund të revolucionarizojë trajtimin e kancerit.

Marketing

Vaksina e zhvilluar nga BioNTech, synon të eliminojë qelizat e kancerit dhe të parandalojë përsëritjen e tyre duke trajnuar sistemin imunitar për të njohur dhe sulmuar gjurmët e tumorit. Ndryshe nga kimioterapia tradicionale, kjo vaksinë nuk i prek qelizat e shëndetshme.

Prova klinike e fazës së parë u krye në 34 lokacione kërkimore, duke përfshirë gjashtë në Britani. 67-vjeçari britanik Januz Rush është pacienti i parë në Mbretërinë e Bashkuar që mori vaksinën.

Ai do t’i nënshtrohet një regjimi rigoroz të trajtimit, duke përfshirë injeksione të shumta çdo javë, të ndjekur nga doza periodike të vaksinës gjatë një viti.

67-vjeçari tha se shkenca mund të përparojë vetëm nëse njerëzit pranojnë të marrin pjesë në programe të tilla.

Kanceri i mushkërive mbetet shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri në mbarë botën, përgjegjës për rreth 1,8 milion vdekje në vit, me norma veçanërisht të ulëta të mbijetesës te rastet e avancuara.

Ky test përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në kërkimin e kancerit të mushkërive, me potencialin për të transformuar rezultatet e trajtimit dhe për të ofruar shpresë të re për pacientët në mbarë botën.