VLEN: BDI e zhytur në korrupsion është pengesë për drejtësinë e vërtetë në rastin e Llaskarcës

Koalicioni VLEN e përshëndet vendimin e vonuar, por sipas tyre të domosdoshëm të Prokurorisë së Shkupit për të paraqitur ankesë kundër dënimit të papranueshëm dhe skandaloz të ulët të shqiptuar për rastin e Llaskarcës me pasoja tragjike.

Marketing

“Ne përkrahim fuqimisht kërkesën për dënime më të rrepta ndaj të gjithë përgjegjësve të tjerë të përfshirë në këtë tragjedi. Kjo ngjarje e tmerrshme, e cila u përpoq të relativizohej dhe minimizohej nga regjimi i kaluar me kuadrin e korruptuar të BDI-së, kërkon drejtësi të plotë dhe të paanshme.

Por pyetjet që shtrohen janë të pashmangshme. A është ky një rast tjetër ku kuadri i mykosur ndalojnë ndëshkimin e merituar të fajtorëve dhe zbardhjen e së vërtetës? Çfarë roli ka luajtur Valdet Xhaferi, ish-drejtori i Byrosë për ekspertizë ligjore, në zvarritjen e qëllimshme të ekspertizës së rastit Llaskarca? Gjithashtu, duhet të dihet nëse pronarët e “Durmo Turs” janë të afërt me BDI-në, siç është folur shpesh në opinionin publik, dhe nëse ata janë bashkëpunëtorë të Talat Xhaferit.

Pse të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast kanë dështuar të japin një verdikt të drejtë dhe në kohë? Kush janë ata që fshihen pas këtyre veprimeve dhe po përpiqen të mbrojnë interesat e ngushta politike, duke penguar drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre?

Koalicioni VLEN kërkon transparencë të plotë dhe veprime konkrete nga të gjitha institucionet për të garantuar drejtësi për viktimat dhe për të gjithë qytetarët”, thuhet në reagimin e VLEN-it.