Kurti: Kemi trajnuar 34 mijë rekrutë ukrainas në taktikat e luftës

Solidariteti i Kosovës ndaj Ukrainës është veçanërisht i dukshëm edhe pse Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet sovran. Megjithatë, populli i Kosovës ka treguar ndjeshmëri të thellë për vuajtjet e ukrainasve dhe u kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira.

Marketing

Kështu ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde në pritjen që ambasadat e QUINT-it dhe Zyra e BE-së organizuan për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës.

Aty u nderuan gazetarët ukrainas që jetojnë në Kosovë përmes Iniciativës Hannah Arendt të Qeverisë Gjermane.

Ambasadori Rohde në emër të ambasadorëve të QUINT-it dhe Zyra e BE-së, tha se janë mbledhur jo vetëm për të festuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, por për të nderuar shpirtin e dashur që kombi ukrainas ka treguar në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë.

Ai shtoi se kjo është Dita e tretë e Pavarësisë që festohet nën hijen e pushtimit brutal dhe të paprovokuar të Rusisë.

“Liria jonë, sistemet tona demokratike, këto janë ato për të cilat ushtarët ukrainas po luftojnë në emër të të gjithë neve. Qoftë financiarisht, ushtarakisht apo socialisht, ne qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa duhet, ky nuk është vetëm një premtim, por një angazhim që shumë kombe e kanë mbajtur. Jam krenarë që dëshmoj se Kosova ka qenë pjesë e kësaj mbështetjeje të palëkundur që nga fillimi. Ky solidaritet është veçanërisht i dukshëm që Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet sovran. Megjithatë, populli i Kosovës ka treguar ndjeshmëri të thellë për vuajtjet e ukrainasve dhe u kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira. Nga Prishtina në Kiev mbështetja është një mocion në nivele të shumta, ndihmë ushtarake, mbështetje politike dhe sigurim i një strehë të sigurt për gazetarët ukrainas që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.. Qeveria e Kosovës ka siguruar mbrojtjen e gazetarëve dhe një vend të sigurt për të vazhduar punën e tyre jetike. Kohët e fundit, Qeveria e Kosovës e zgjati këtë program për strehimin e gazetarëve, vendim për të cilin personalisht u jam mirënjohës kryeministër Kurti, për mbështetjen tuaj të fuqishme për Ukrainën dhe kjo nismë tregon gatishmërinë e Kosovës për të qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të ndarë barrën dhe për të ofruar ndihmë në këtë kohë krize”, tha ai.

Gazetarja nga Ukraina, Iryna Synelnyk falënderoi shtetin e Kosovë dhe shtetet tjera mbështetëse për mbështetjen dhe solidaritetin, duke thënë se kjo është festa kryesore publike për ukrainasit, por është hera e tretë që festojë gjatë luftës.

Ajo shtoi se duke qenë se ukrainasit janë një popull i guximshëm dhe i qëndrueshëm, ata po vazhdojnë të luftojnë për lirinë dhe integritetin e tyre territorial.

“Si gazetare, dua të them se për të kuptuar të tashmen duhet të njohim shumë mirë të kaluarën tonë. Në vitin 1991, kur Ukraina u bë një vend i pavarur, unë isha një vajzë e re, nuk e kuptoja se çfarë do të thotë dhe si do të ndryshonte jetën time dhe jetën e familjes sime. Si çdo informacion se pavarësia e Ukrainës u fitua pa gjak, kur isha studente dhe studioja histori në universitet, mora vesh se sa njerëz kishin luftuar për pavarësi. Sa e fortë ishte ideja ukrainase në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, kur u shpall Republika e popullit ukrainas, por gjatë gjithë asaj kohe Rusia e mohoi ekzistencën tonë dhe i dha hije narrativave propagandistike… Unë dhe gjenerata e ardhshme kemi mundësi të zhvillojmë vendin tonë si pjesë e Komunitetit Evropian. Vlerat e demokracisë janë shumë të rëndësishme për ne”, tha ajo.

E derisa kujtoi se sa të lumtur ishin para luftës, shtoi se tash në vendin e saj, askush nuk mund të ndihet i sigurt.

“Askush në vendin tim nuk mund të ndihet i sigurt. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në momentin tjetër. Mijëra ukrainas, ushtarakë dhe civilë u vranë gjatë luftës, miliona janë bërë refugjatë. Ne po paguajmë një çmim të lartë për lirinë tonë. Dhe ne e kuptojmë se mbrojmë jo vetëm veten, por edhe paqen dhe qetësinë e vendeve fqinje. Unë dhe kolegët e mi mund të jemi me fat sepse patëm mundësinë të jemi pjesë e programit ndërkombëtar të strehimit në Kosovë. Ne kemi zbuluar Kosovën si vend dhe njerëzit e Kosovës që kanë zemër të madhe dhe janë bërë miq të vërtetë për ne. Gjëja më e vlefshme për ne është se ju i keni mbijetuar luftës, i kuptoni shumë mirë ukrainasit. Ne kemi një mision që të jemi zëri i Ukrainës në Ballkan dhe t’u tregojmë njerëzve në Ukrainë për Kosovën”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se një nga format e para të ndihmës që Kosova i ofroi Ukrainës ishte programi i strehimit të gazetarëve, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite, e ku përmes kësaj iniciative Kosova i ka dhënë 18 gazetarëve ukrainas statusin e mbrojtjes së përkohshme, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë punën e tyre. Sipas tij, 12 prej tyre ende jetojnë dhe punojnë në vendin tonë duke formuar një pjesë integrale të peizazhit tonë të gjallë dhe të larmishëm mediatik, në të vërtetë sigurimi i hapësirës së sigurt dhe mikpritëse për gazetarët është një nga arritjet më krenare të qeverisë në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së medias.

Ai tha përveç mbështetjes sonë për gazetarët ukrainas, Kosova ka hequr përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas në përgjithësi dhe ka hedhur bazat për strehimin e deri në 5000 refugjatëve nga konflikti

“Ne kemi miratuar 13 paketa sanksionesh të BE-së kundër Rusisë, Bjellorusisë… Dhe ne i kemi mbështetur të gjitha sanksionet e SHBA-së edhe ndaj këtyre vendeve, në bashkëpunim me matkosova (mendje, veprim, trajnim) dhe EUcom, komanda evropiane e SHBA-së, FSK-ja ka trajnuar 140 ukrainas në fushën e deminimit. Dhe së bashku ne po ofrojmë trajnime për rekrutët ukrainas në taktikat luftarake. Deri më tani, 34 000 rekrutë janë trajnuar përmes këtij operacioni. Dhe pikërisht gushtin e kaluar, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, qeveria jonë iu bashkua zyrtarisht deklaratës së përbashkët të G7 për mbështetjen e Ukrainës. Mbështetja e Kosovës për Ukrainën në këtë kohë nevoje tregon përkushtimin tonë për të vepruar me partnerët tanë ndërkombëtarë kundër agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë”, tha ai.

Sipas tij, Rusia ishte gjithmonë anti-perëndimore, përgjithësisht jo-evropiane, dhe tani është bërë anti-evropiane, prandaj, lufta çlirimtare në Ukrainë është luftë evropiane në Evropë për Evropën, dhe solidariteti ynë është detyra jonë që i përkasim kontinentit evropian.

“Ne në Kosovë jemi rreshtuar pa mëdyshje pas SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe, ndërsa Serbia ka dyfishuar lidhjet e saj gjithnjë e më të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Megjithatë, mbështetja e Kosovës për miqtë tanë ukrainas shkon përtej llogaritjeve thjesht gjeopolitike. Për popullin tonë, qëndrimi në krah të Ukrainës është një çështje parimore. Është një pasqyrim i luftës sonë historike për liri. Gjeopolitika tërheq vija të rëndësishme që nuk mund të shpërfillen, por janë vlerat që ndajmë me popullin ukrainas dhe aleatët tanë ndërkombëtarë që japin kuptimin dhe shtysën për përpjekjet tona… Dhe kështu, ndërsa mbrojtja heroike e Ukrainës e lirisë dhe demokracisë vazhdon edhe në vitin e tretë, mesazhi im në emër të popullit të Kosovës është, mos e humbni kurrë shpresën“, ka thënë ai.

Pritja e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës përfshiu gjithashtu ekspozitën me fotografi nga Ukraina.