“Gjithashtu me kënaqësi mund të them se rrëmuja që ishte praktikë për qeverisjen e kaluar të LSDM-së dhe BDI-së në procesin e lëshimit të dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve personale është vënë plotësisht nën kontroll dhe tashmë brenda 15 ditëve ligjore qytetarët mund të marrin dokumentet e udhëtimit dhe dokumentet e tjera personale”, deklaroi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske.
“Nga informacionet që i pranoj nga MPB-ja janë lëshuar diku rreth 1.740.000 dokumente udhëtimi, diku rreth 1.440.000 letërnjoftime dhe diku rreth 750.000 patenta shoferi”, informoi Mickoski.
Ai po ashtu paralajmëroi se afati për patentë shoferi është deri në fund të vitit dhe shtoi:
“Kështu që nuk ka më rrëmujë, nuk ka më poshtërim të qytetarëve maqedonas dhe tashmë gjithçka është brenda 15 ditëve të parapara me ligj. Kjo është edhe një tjetër dëshmi se jo të gjithë janë njësoj dhe se parimi i menaxhimit si deri më tani është në të kaluarën dhe se kjo Qeveri do të kujdeset për interesat e qytetarëve”.