Do të befasoheni! Përse zgjohemi para se të bjerë alarmi

Ju ka ndodhur shpesh që mëngjeseve të zgjoheni përpara se të bjerë zilja e zgjimit, por asnjëherë nuk e keni ditur vërtet se përse ndodh. Përveç faktit të rutinës së zgjimit, një studim i veçantë flet për një “orë të brendshme zgjimi”, që të gjithë ne e disponojmë.

Marketing

Po atëherë, përse na ndodh që të hapim sytë pak çaste më parë se zilja jonë të bjerë?

Studimi i prof. Born

Ashtu si zilja e orës që premton një zgjim të butë dhe gradual, edhe trupi ynë është i programuar për të bërë të njëjtën gjë. “Në pritje të fillimit të ditës, disa hormone të lidhura me stresin prodhohen gjatë fazave të mëvonshme të gjumit”, thotë Jan Born, profesori i neuroshkencës së sjelljes në Universitetin Tübingen, Gjermani. Në studimin e tij të vitit 1999, Born dhe kolegët e tij studiues, kanë zbuluar se një hormon i veçantë, Adrenocorticotropo ACTH, u gjet në nivele të larta në gjakun e vullnetarëve që zgjoheshin në një orar të caktuar. Në eksperiment, 15 vullnetarë u ndanë në dy grupe, të cilët u dërguan për të fjetur në mesnatë: grupi i parë e kishte të fiksuar zilen e zgjimit në orën gjashtë të mëngjesit, ndërsa i dyti në orën nëntë. Prof. Born tregon se: “Te pjesëmarrësit e grupit të parë u regjistrua një rritje graduale e ACTH pak më përpara nga orari i parashikuar i zgjimit”. Ndërkohë ata të grupit të dytë, që e kishin të fiksuar zgjimin në orën nëntë, nuk kanë pasur këtë lloj rezultati.

Çfarë tregon kjo gjë?

Është e lehtë të imagjinohet një nëpunës i lidhur prej shumë vitesh me rutinën e tij, e që i hap sytë çdo ditë në të njëjtën orë! Megjithatë, në studimin e Born subjektet nuk ishin mësuar me një zgjim kaq preciz: “Në këto studime kemi ‘përdorur’ më shumë studentë që nuk ishin mësuar të zgjoheshin në orën gjashtë. Mesatarisht këta të rinj e fiksonin zgjimin e tyre në orën shtatë ose nëntë, ndaj ora gjashtë e mëngjesit u dukej një orar i pazakontë, ndërsa për ne i përshtatshëm”. Kështu që stresi për këtë pritshmëri zgjimi të pazakontë ka rritur nivelet e hormoneve në gjakun e vullnetarëve, duke shkaktuar zgjimin.

Një studim tjetër

“Qeniet njerëzore, insektet, bimët dhe madje disa baktere, janë të gjitha subjekte me zile të brendshme zgjimi”, thotë Luçiano di Takio (Luciano Di Tacchio), asistent/profesor në Departamentin e Farmakologjisë, Toksikologjisë dhe Terapeutikës në Universitetin e Kansas Medical Center. “Këto ritme janë të sinkronizuara me ciklin natyror dritë-errësirë të ambientit tonë, i cili na ndihmon të zgjohemi çdo mëngjes dhe të biem në gjumë çdo natë”, thotë profesori. Siç është e vërtetë se njerëzit ndjekin një orë të brendshme, kjo nuk do të thotë, megjithatë, se të gjitha orët janë të njëjta: “Ndryshimet në gjene të caktuara tregojnë se pse disa prej nesh zgjohen herët në mënyrë të natyrshme”, ka përfunduar Di Takio.

A ekziston vërtet gjeni i zgjimit?

Ky studim ka identifikuar gjenin KDM5A, i përcaktuar ndryshe si gjeni i “zgjimit”, i cili është përgjegjës për zgjimin tonë. “Ky gjen i veçantë është në fakt pjesë e një rrjeti gjenesh, që në thelb punon si një orë”, thotë prof. Di Takio. “Ai nuk është bërë prej ‘pjesësh mekanike’, por funksionon ekzaktësisht si një orë”. Gjeni KDM5A kodifikon nga ana e tij një proteinë ​​të quajtur JARID1, që krijon variacione të lehta në mënyrën që “gjeni i zgjimit” shprehet.

Konkluzioni

Pra, përse na duket se zgjohemi pak më përpara se të bjerë zilja e zgjimit? E thjeshtë: bëhet fjalë për një përzierje shumë personale të shprehjes individuale të “gjenit të zgjimit” me nivelet individuale të hormoneve të stresit të prodhuara në mëngjes herët. Këto janë vetëm pjesë e enigmës që Di Takio e quan “mjeshtëri stimuluese kardiake apo ora e specializuar në tru.