​Muriqi: Po plakem, por nuk i frikësohem konkurrencës në sulm

Në prag të ndeshjes kundër Rumanisë, e para në Ligën e Kombeve për Kosovën dhe e cila zhvillohet nesër nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në konferencë për media, bashkë me trajneri Franco Foda ka folur edhe sulmuesi Vedat Muriqi.

Marketing

Që në fjalët e tij të para, sulmuesi i Majorkës u shpreh i bindur në fitore ndaj rumunëve.

“Ndeshja e nesërme do të jetë shumë e rëndësishme për të dy palët sepse me gjithë respektim për dy ekipet tjera, por Rumania dhe Kosova janë favorit për ta zënë vendin e parë kështu që nesër nëse e nisim mbarë me fitore besoj që do të kemi një hap të madh dhe të rëndësishëm për ta mbyllur grupin si lider…E vlerësojmë shumë si kundërshtar sepse herën e kaluar unë personalisht nuk e kam parë Rumaninë që janë shumë më përpara se ne, por ata brenda fushës kanë merituar të kualifikohen në Euro…Kemi respekt, kanë lojtarë të rëndësishëm, lojtar kyç, nesër do të mundohen ta na shkaktojnë probleme, por edhe ne jemi përgatitur maksimalisht, e njohim kundërshtarin. Me gjithë respektin për Rumaninë, ne nesër do japim maksimumin për t’i lënë ata pa pikë”, u shpreh fillimisht Muriqi.

A komentoi edhe incidente e fundit të ndodhura në ndeshjen e vitit të kaluar ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës ku tifozët rumun kishin provokuar lojtarët, duke thënë se sporti duhet të jetë larg politikës dhe mision ta ketë bashkimin e njerëzve.

“Unë gjithmonë si futbollist profesional pa marrë parasysh politika si është apo pa marrë parasysh shtetet si e kanë lidhjes mes vete, ne jemi futbollistë, jemi sportistë edhe unë besoj që futbolli duhet të na bashkojë e jo të na largojë edhe nëse ndodhin këto gjëra është shumë vështirë të arrijmë në atë që thash më herët kështu që unë besoj se ne si sportistë dhe sportdashës duhet të mbesim brenda fushës”, tha Muriqi.

Ardhja e lojtarëve të rinj si Fisnik Asllani e Albion Rrahmani ka freskuar sulmin e Kosovës, por Muriqi u ka bërë me dije atyre se nuk i frikësohet aspak konkurrencës në fazën e sulmit.

“Është konkurrenca shumë e madhe në sulm, sidomos për ne si ekip që luajmë me një sulmues kështu që nuk po ndihem i rrezikuar por shumë mirë dhe shumë i qetë për shkak se po shoh që edhe lojtarët e rinj, po e zë veten si plak sepse 30-31 vjeç gati dhe ata janë 20-22 vjeç, po më bëhet shumë qejfi që po vijnë edhe lojtarë të tjerë si Fisniku, si Albioni, kështu që e kemi ekipin shumë të mirë për momentin”, ka shtuar Muriqi.

Madje Muriqi u shpreh se është i gatshëm të luaj edhe me Albion Rrahmanin apo cilindo sulmues në fazën e sulmit sepse një gjë të tillë e ka bërë tashmë me sulmues të ndryshëm nëpër klubet ku ka luajtur.