Drogë me personazhe vizatimorë: U dërgua me postë nga Serbia në Shqipëri

Në pamje të parë, fotografia tregon një Puzzle për fëmijë që përmban figurën e karakterit të njohur nga shkrimtari dhe karikaturisti amerikan Dr. Seuss, “Macia në Kapele”.

Marketing

Megjithatë, ajo që duket si një lojë e pafajshme fsheh një të vërtetë të errët: bëhet fjalë për një drogë sintetike të njohur si LSD, e cila ka mbërritur në Shqipëri me postë nga Serbia dhe më pas shpërndahej nga një rrjet kriminal që iu shiste të rinjve.

Një copë e vogël e këtij Puzzle, disa milimetra në madhësi, tregtohej për 3 mijë lekë dhe konsumohej duke u vendosur poshtë gjuhës.

Kjo drogë sintetike përhapej kryesisht mes të rinjve, të cilët shpeshherë nuk ishin të ndërgjegjshëm për rreziqet që kjo substancë e maskuar mbart për jetën e tyre.

Pas muajsh hetime të vazhdueshme, policia zbuloi dhe çmontoi këtë rrjet, duke arrestuar 25 persona dhe shpallur në kërkim 3 të tjerë.

Gjatë këtij operacioni, përveç 350 dozave të drogave sintetike, u sekuestruan gjithashtu 1.8 kilogramë kokainë dhe 18 kilogramë kanabis.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të goditur rrjetet e shpërndarësve të drogës, fenomeni vazhdon të mbetet i përhapur.

Orgest Veliaj, i cili u arrestua në shtatorin e kaluar për shpërndarje droge. Pas disa muajsh në burg, ai fitoi lirinë dhe rifilloi të njëjtin aktivitet, derisa u arrestua sërish këtë mëngjes në zonën e “Brrylit” në Tiranë.

Një ndryshim i rëndësishëm është mënyra e veprimit të shpërndarësve të drogës.

Ata tani përdorin kamuflime si shpërndarës ushqimesh, picash, postierë, madje dhe taksistë, për të shmangur kapjen nga autoritetet. /TCH