Kuvendi miratoi huamarrjen nga Hungaria në vlerë prej 500 milion euro

Kuvendi miratoi propozimin e qeverisë për huamarrje të re nga Hungaria me vlerë prej 500 milion eurosh. Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, pushteti vijoi procedurën. Marrëveshja me Bankën hungareze për eksport dhe import, thonë nga qeveria, do të nënshkruhet menjëherë pas dekretimit të ligjit për huamarrje nga ana e presidentes.

Marketing

“Borxhi do të paguhet në 24 rata gjysmëvjetore, më 15 shkurt dhe 15 gusht secilin vit”, tha Nikollçe Jankullovski, zv.ministër i Financave.

Opozita thonë se procedura është dyshimtë. Sipas tyre, pushteti i zhyt qytetarët në borxhe nga të cilat vështirë do të dalë. Ngre dyshime edhe për ndikimin e huasë në sovranitetin e vendit.

“Kjo huamarrje që zbatohet në fshehtësi, pa transparencë dhe qëllime skajshmërish të dyshimta është sulm ndaj ekonomisë së vendit, ndikon në stabilitetin financiar dhe sovranitetin. Si është e mundur që vetëm pesë ditë nga formimi i qeverisë së re Banka hungareze Eksim të dorëzojë shkresë me qëllim për huadhënie prej gjysmë miliard euro. Edhe me shqetësues është fakti që bisedimet për këtë huamarrje VMRO-ja i ka filluar me qeveri të huaj që në kohën kur ka qenë në opozitë”, Fatmir Bytyqi, LSDM.

Pushteti thonë se për dallim nga qeveria e kaluar që ka marrë hua për të paguar rrogat dhe pensionet, këto mjete do të shfrytëzohen për investime kapitale.

“Për herë të parë kemi huamarrje të cilën paraprakisht e dimë se për çfarë do të destinohet, për herë të parë kemi procedurë transparente se si ato mjete do të shfrytëzohen. Për herë të para ata mjete do të hynë në buxhet vetëm si në stacion kalimthi deri sa nuk dërgohen atje ku duhet të dërgohen. Ky borxh, më shumë do të përdoret për dy qëllime, për projekte infrastrukturore në komuna me vlerë prej 250 milion euro, e dyta, për financimin e kredive të lira për ekonominë, në vlerë prej 250 milion euro”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Borxhi do të tërhiqet njëherësh, do të ketë afat kthimi prej 15 vjetësh, me 3 vjet grejs periudhë. Kamata për të është 3.25%. /Alsat.mk