U shua në moshën 44-vjeçare pas një arresti kardiak! Homazhe shtetërore në nderim të Gerti Bogdanit në Kuvendin e Shqipërisë!

Kuvendi njofton se homazhet do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në sallën e seancave plenare. Për rrjedhojë seanca parlamentare që ishte programuar të niste të enjten në orën 10:00 është shtyrë në orën 17:00. Ndërkohë, Partia Demokratike njofton se në nder të Gert Bogdanit ka shpallur të enjten ditë zie dhe për rrjedhojë ka pezulluar të gjitha aktivitetet partiake në të gjithë vendin.

Marketing

“Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator 2024. Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen. Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin zyrtar të PD.

Bogdani ndërroi jetë në moshën 44 vjeçare pas një arresti kardiak. Lideri demokrat Sali Berisha e mësoi lajmin e ndarjes nga jeta të ish-deputetit të PD-së, Gert Bogdanit gjatë një konference për mediat. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se ky është një lajm i zi dhe shokues teksa ka folur me vlerësim për figurën e Gert Bogdanit.

“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan, demokrat, me civilitet, me formim, me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë”, u shpreh kreu i PD-së.

Me dhimbje të thellë, kryedemokrati Sali Berisha ka thënë se ky lajm është një humbje e madhe për PDnë dhe për të gjithë shoqërinë shqiptare.

“Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD-në, i shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA. Ai, midis një të ardhme në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore dhe kontributet për vendin e tij, për PD-në, zgjodhi këtë të fundit”, u shpreh Sali Berisha.

Ai përmendi se lajmi për humbjen e jetës së Gert Bogdanit, i ka ardhur si rrufe në qiell të hapur dhe ka kërkuar që të mbahet 1 minutë heshtje në nderim të ish-deputetit demokrat.

“Ky lajm shokues për mua dhe për çdo demokrat dhe për çdo qytetar që e ka njohur Gerti Bogdanin më erdhi në këtë moment si rrufe në qiell të hapur. 2 net më parë e kam ndjekur në një studio televizive, mendoj se në rast se ka një njeri që njoh, i cili ka lënë vetëm përshtypje pozitive tek çdo qytetar, në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani. Të ngrihemi dhe të nderojmë me 1 minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar, të ri të PD-së”,-deklaroi kreu i PD-së.

Pas mbajtjes së 1 minutë heshtje në nder të ish-deputetit të PD-së, Gert Bogdani, kryedemokrati Berisha vendosi që ta ndërpresë konferencën për shtyp. Pas lajmit për ndarjen nga jeta e ish-deputetit të PD-së, Gerti Bogdani u ndërpre edhe mbledhja e Komisionit të Mandateve. Ndërprerja e mbledhjes u kërkua nga kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi. Ai tha se largimi nga jeta i Gerti Bogdanit është tronditës dhe shumë i rëndë për kolegët e tij.

“Sapo është konfirmuar se kolegu ynë, Gert Bogdani sapo ka ndërruar jetë. Ky lajm është tronditës dhe shumë i rëndë për ne kolegët e tij në PD, por edhe për kolegët e tij në Kuvendin e Shqipërisë. Kërkoj ndërprerjen e mbledhjes”, tha Bardhi. Ndërsa kryetarja e Këshillit të Mandateve, Elisa Spiropali shprehu ngushëllimit për ndarjen nga jeta të ishdeputetit demokrat.

“Të prehet në paqe kolegu ynë Gert Bogani. Ngushëllime nga zemra, familjes së tij u pretë në paqe!”, u shpreh Spiropali